Hulumtimi i ‘Jeta në Kosovë’: Fillon gjykimi për herë të tretë për falsifikim të notave

Fehmi Ramaj, mësues nga Drenasi, i akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe falsifikim të dokumenteve, është paraqitur sot në Gjykatën e Prishtinës, në gjykimin që po fillon rishtazi për herë të tretë.

Në seancë e mbajtur të premten kanë dëshmuar 6 dëshmitarë. Njëri nga dëshmitarët ishte edhe Ramadan Ramaj, i cili kishte raportuar këtë rast tek të gjitha organet kompetente.

Dëshmitari Ramadan Ramaj tha se mësuesi vetë iu kishte treguar kolegëve të tij për ndërhyrjen që e kishte bërë në ditarin e klasës.

“Informacion vetë na e ka dhënë, pastaj të nesërmen unë kam shku tek drejtori dhe e kam pyet kështu dëgjova, çka ka?, tha po e vërtet është, e kam pyet a e din Sadiku, drejtori i arsimit, tha po e din. Tha Sadiku ka thënë me e mbyll këtë rast dhe i kam thënë nuk guxon me u mbyll ky rast”, ka thënë Ramadan Ramaj.

Dëshmitarët e tjerë që dëshmuan para gjykatës janë: Sokol Ramaj – drejtori i shkollës “Shote Galica” në kohën kur ka ndodhur ndryshimin i notave; Hysen Halilaj – arsimtar i Biologjisë; Sadik Tahiraj – ish-drejtor i Arsimit në Drenas; Lirije Bresalci dhe Sabri Sadriu nga Inspektorati i Arsimit.

Lirije Bresalci ka thënë se në raportin e lëshuar nga Inspektorati i Arsimit është konstatuar se notat janë ndryshuar dhe është evituar problemi.

“Kemi bërë inspektimin dhe kemi procesverbalin, sipas kërkesës së palës, është procesverbali i nënshkruar nga unë dhe dy kolegëve të tjerë. Kemi shkuar në shkollë dhe kemi konstatuar shkeljet të cilat janë në ankesën që është drejtu edhe nga televizioni të cilën e ka dhënë KALLXO.com”, ka thënë Bresalci.

“Ne si Inspektorat kemi identifikuar se ai mësimdhënës nga Drejtoria Komunale është shpallur si mësimdhënësi më i mirë, ne kemi rekomandu që t’i hiqet mirënjohja si mësimdhënësi i mirë” ka vazhduar Bresalci.

Ndërsa, Besarta Jetullahi, arsimtare në shkollën “Shote Galica” në Tërdec nuk është paraqitur në seancë edhe pse ka pranuar ftesën. Për këtë arsye gjykata ka marrë vendim që në seancën e ardhshme të sillet me detyrim.

Gjykata e Prishtinës në mars të vitit 2020 e  kishte shpallur fajtor mësuesin Fehmi Ramaj për falsifikim të notave të 12 nxënësve në shkollën “Shote Galica” në fshatin Tërdec të Drenasit. Ai ishte dënuar me 9 muaj burg, ndërsa pas ankesës së avokatit mbrojtës, Gjykata e Apelit e kishte kthyer çështjen në rigjykim.

Në qershor të vitit 2021, mësuesi Ramaj kishte pranuar fajësinë dhe ishte dënuar sërish, por kësaj here me 6 muaj burgim, tre muaj më pak se herën e parë. Me pëlqimin e tij dënimi iu zëvendësua me 1 mijë e 500 euro gjobë.

Prokuroria e Prishtinës përmes ankesës kishte kërkuar që dënimi të rritet. Kjo për shkak se në mesin e nxënësve që iu ishin ndryshuar notat ishte dhe djali u të akuzuarit Fehmi Ramaj.

Aktakuza ndaj Ramajt u ngrit më 27 dhjetor 2019, gati 6 vite pasi ishte kryer kjo vepër dhe tre vite pasi emisioni “Jeta në Kosovë”, kishte transmetuar hulumtimin lidhur me falsifikimin e notave që e kishte bërë ky mësues.

Shqyrtimi i së premtes është ndërprerë me marrjen e dëshmive nga dëshmitarët, ndërsa seanca e radhës është caktuar më 22 qershor, duke filluar nga ora 13:30.