Hoti: Të gjithë ishin kundër marrëveshjes së Uashingtonit

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryeministër, Avdullah Hoti, tha të shtunën në Shtime se të gjitha partitë politike në Kosovë, në pushtet dhe opozitë, ishin kundër Marrëveshjes së Uashingtonit, ndërsa tani po heshtin kur po i shohin rezultatet e saj

“Një miliard investime që kanë filluar të alokohen në Kosovë, njohjen nga Izraeli, përfshirjen e ushtrisë sonë në misione paqeruajtëse etj. U bënë bashkë të gjithë kundër Lidhjes Demokratike të Kosovës për të kundërshtuar dhe minuar Marrëveshjen e Uashingtonit, të cilën e nënshkrova me presidentin Trump. Disa kishin paranoja për thika dhe harta, për gjoja copëtimin e Kosovës, disa kundërshtonin sepse dëshironin të ishin protagonistë, ndërsa disa të tjerë synon të sabotonin shtëpinë vet për konsum të brendshëm”, tha kryeministri në deyrë gjatë bashkëbisedimit me banorët e Shtimes.

Hoti e ka falënderuar administratën Biden që në fillim të këtij muaji ka filluar zbatimin e pikës së Marrëveshjes së Uashingtonit për investime amerikane nëpërmes Korporatës Sfidat e Mijëvjeçarit (MCC).

“Të mirat e kësaj marrëveshje do ta forcojnë shtetin e Kosovës, do të përmirësojnë jetën e qytetarëve dhe do të na ndihmojnë të integrohemi në NATO, BE dhe OKB”, shtoi Hoti.

Duke bashkëbiseduar me banorët e Shtimes, Ai premtoi vazhdimin e përkrahjes për sektorin e bujqësisë, për të cilin tha se vetëm gjatë këtij viti, janë dyfishuar subvencionet për bujqit.