Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Hoti: Qeveria Kurti ka më së paku merita për marrëveshjen me MCC-në

Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka komentuar nënshkrimin e marrëveshjes së Kosovës me MCC për energjinë duke thënë se Qeveria Kurti ka më së paku merita për ketë marrëveshje.

Hoti ka thënë se Qeveria Kurti e ka vonuar nënshkrimin e kësaj marrëveshje për së paku dy vite.

“Duhet thënë që Qeveria Kurti ka më së paku merita për ketë marrëveshje. Në fakt është Qeveria Kurti që e ka vonuar së paku dy vite këtë marrëveshje. Kjo marrëveshje ka filluar qysh në Qeverinë Mustafa dhe presidentja Jahjaga ka një meritë të veçantë për inicimin e kësaj marrëveshje”, ka thënë ai.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës ka thënë se në kohën e Qeverisë Mustafa është punuar shumë për një listë të kushteve që kërkoheshin për t’u kualifikuar për këtë marrëveshje.

“Në Qeverinë Mustafa atëherë kemi punuar gjatë në plotësimin e një liste të gjatë të kushteve për t’u kualifikuar për ketë marrëdhënie kontraktuale me SHBA-në. Pastaj kanë filluar studime të fizibilitetit që kanë përfunduar në gusht të vitit 2020 dhe bazuar në kërkesën e MCC me datë 24 shtator 2020 qeveria atëhershme ka dërguar letër në MCC dhe ka dhënë qëndrimin e saj sa i përket zhvillimeve në projektin Kosova e Re”, ka thënë ai.

Tutje Hoti ka thënë se është gabim të thuhet se përmes këtij projekti rriten kapacitetet energjetike.

Ai ka thënë se bateritë akumuluese mundësojnë që të ruhet energjia e tepërt dhe kur bie sistemi të mbulohen mungesat me energji.

“Bateritë akumuluese mundësojnë që ne të ruajmë energjinë e tepërt që prodhohet gjatë natës dhe ta shesim gjatë ditës dhe eventualisht kur të bie sistemi të mbulojnë ato mungesa. Është gabim që të thuhet se përmes këtij projekti të paraparë në ketë marrëveshje, rriten kapacitetet energjetike. Krejt çka mundëson kjo marrëveshje është stabiliteti I rrjetit dhe furnizimit me energji”, ka thënë Hoti.

Kosova dhe Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), në ceremoninë e Kongresit amerikan dje kanë nënshkruar marrëveshjen e programit Kompakt mes Kosovës dhe Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC).

Marrëveshja pritet t’i sjellë Kosovës mbi 200 milionë dollarë investime në projekte në fushën e energjisë.

Në këtë ceremoni të pranishëm ishin edhe dy liderët institucionalë, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti.

Marrëveshja me MCC-në u nënshkrua nga ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.

Kuvendi i Kosovës ka futur në rend dite për votim ratifikimin e Marrëveshjes që Kosova ka nënshkruar me Korporatën Sfidat e Mijëvjeçarit (MCC) për çështjen e energjisë.

Mocioni është propozuar nga Komisioni për Ekonomi, që kjo pikë të futet në rend dite si pikë e pestë.

Grupet Parlamentare janë pajtuar me ketë dhe propozimi ka marrë përkrahjen e të gjithë deputetëve.

Kuvendi fut në rend dite ratifikimin e marrëveshjes me MCC-në