Hoti: Në Prishtinë, në vend të qeverisjes servohet propagandë

Kandidati i LDK-së për kryeministër, Avdullah Hoti ka kritikuar qeverisjen në Prishtinë, e udhëhequr nga Shpend Ahmeti në tetë vitet e fundit.

Në një adresim për qytetarët e Prishtinës në kuadër të fushatës elektorale, Hoti ka thënë se qytetarëve u është servuar propagandë.

“Ju e dini se çfarë ka ndodhur me qeverisjen në Prishtinë që nga viti 2014. Prej tetë vitesh në vend të qeverisjes juve ju servohet propagandë, punohet me neglizhencë, pa hapur asnjë perspektivë të zhvillimit të Prishtinës drejt një qendre metropolitane. Menjëherë pas mashtrimit të vitit 2017, ata të cilët ju premtuan ndryshim, ju braktisën sepse nuk dinë si të qeverisin”, tha ai.

Kandidati i LDK-së për kreun e qeverisë dha premtime për kryeqytetin.

“Në vizionin tonë dhe me projektet konkrete tashmë të siguruara, nga qeverisja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Prishtina do të shndërrohet, jo vetëm një kryeqytet modern, qendër administrative, e arsimit, e kulturës, e rinisë dhe sportit, por edhe një nyje rajonale të zhvillimit ekonomik e teknologjik. Nëpër Prishtinë do të kalojnë të gjitha autostradat që lidhin Ballkanin. Prishtina do të jetë nyja lidhëse për hekurudhat moderne të rajonit dhe më gjerë”, u zotua ai.

Hoti u shpreh sërish i bindur për fitoren e LDK-së në zgjedhjet e 14 shkurtit.

“Sa më shumë që po i afrohemi ditës së diel, 14 shkurtit, aq më shumë po bindem në fitoren e madhe që do të arrijmë në këto zgjedhje”, tha ai.