Hoti: Ndriçimi i fatit të të pagjeturve - prioritet i Qeverisë

Kryeministri  i vendit, Avdullah Hoti, ka pritur sot në takim ekipin e ekspertëve nga Instituti i Mjekësisë Ligjore të Kosovës, i cili ishte i angazhuar në gërmimet vlerësuese gjatë javëve të fundit në vendin ku dyshohet të ketë varrezë masive në Kizhevak të Rashkës, në Serbi.

Siç njofton komunikata e Qeverisë, ky takim vjen në kuadër të angazhimeve të vazhdueshme për ndriçimin e fatit të të pagjeturve.

“Kryeministri Hoti i falënderoi ata për angazhimin e palodhshëm dhe profesional në ndriçimin e fatit të të pagjeturve gjatë gërmimeve në lokacione të ndryshme në Serbi por edhe brenda territorit të Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Tutje Hoti në takim ka konfirmuar se tema e të pagjeturve është një ndër temat kryesore të procesit të dialogut Kosovë-Serbi.

“Kryeministri Hoti në takim theksoi se, ndriçimi i fatit të të pagjeturve është prioritet i punës së Qeverisë së Kosovës dhe njëra ndër temat kryesore në procesin e dialogut me Serbinë. Ai ofroi mbështetjen e pa rezervë të Qeverisë për punën e ekspertëve mjeko-ligjor dhe Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur,  mbi supet e të cilëve bie e gjithë barra për  ndriçimin e fatit të të pagjeturve nga lufta e fundit në Kosovë”, thuhet në komunikatë.

Në Kosovë 20 vite pas luftës, sipas përfaqësuesit të grupit punues nga delegacioni i Kosovës për të pagjeturit, Ibrahim Makolli, 1,641 persona konsiderohen të pagjetur.

Ndërsa ditë më parë në Kizhevak të Serbisë janë ndërprerë gërmimet të cilat kishin filluar tash e një kohë pas dyshimeve për varrezë masive me eshtra të shqiptarëve të vrarë gjatë luftës së fundit në Kosovë.