Foto: REL

Ndërprehen kërkimet për varrezë masive në Kizhevak të Serbisë, do të fillojnë sërish në pranverë

Në Kizhevak të Serbisë janë ndërprerë gërmimet të cilat kishin filluar tash e një kohë pas dyshimeve për varrezë masive me eshtra të shqiptarëve të vrarë gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Ndërprerja është bërë për shkak se kushteve atmosferike ndërsa priten të fillojnë gërmimet sërish në prill të vitit tjetër.

Kushtrim Gara nga Komisioni për për personat e pagjetur tregoi se takimi i sotëm mes kryeministrit Hoti dhe Këshillit Koordinues i Asociacioneve për të pagjetur kanë diskutuar për zhvillimet e fundit, por edhe se po bëhet përpjekje për të pasur më shumë transparencë duke pasur parasysh edhe ndjeshmërinë e procesit.

“Procesi aktualisht i zbulimit të fatit të të zhdukurve, përballet me dy sfida, mungesa e informacioneve të besueshme dhe mbetjet mortore të paidentifikuara. Të dy këto raste, ka një sër aktivitetesh që realizohen nga institucionet kompetente të Kosovës edhe në rastin konkret të trajtimit të mbetjeve mortore, mbi bazën e planit të punës që është aprovuar më 8 dhjetor të këtij viti. Çështja e mbetjeve mortore vazhdon të trajtohet si çështje me prioritet të veçantë”, tha Gara.

Tutje ai shtoi se mbetjet mortore në Institutin e Mjekësisë Ligjore ndahen në disa grupe.

“Këto grupe ndërlidhen edhe me rastet kur familjet nuk kanë dhënë mostra të gjakut por edhe grupi tjetër që lidhet me keq identifikimet e mundshme në mënyrë të veçantë në rastet e identifikimeve pa aplikimin e ADN-së. Nuk do të thotë kjo që çdo rast që është identifikuar pa aplikimin e ADN-së është gabim, ta kemi të qartë. Ne deri tani kemi vepruar në bazë të konfirmimeve që kemi pranuar nga familjarët e të pagjeturve”, tha tutje Gara.

Gara shpjegon se rastet e identifikuara jo të gjitha do të hapen.

“Do të veprojmë vetëm në rastet ku paraprakisht do të kemi një kërkesë nga familja për konfirmim identiteti apo në raste ku ka konkluzion nga ekspertë mjekoligjor se do të hapen këto raste. Kjo në asnjë rrethanë nuk do të thotë se të gjitha rastet e identifikuara do të rihapen në asnjë rrethanë jo. Edhe këto raste që do të hapen do të jemi të kujdesshëm se si do të veprojmë. Nuk do të veprohet pa një koordinim të ngushtë me këto familje”, tregon Tutje ai në një intervistë për KTV.

Deri sa shpjegonte procesin e rivarrimit, Gara tregon edhe se çdo veprim i cili do të ndërmerret në vazhdim do të bëhet në koordinim me familjarët e të pagjeturve.

“Çdo veprim i mëtutjeshëm do të jetë në bashkëpunim me familjet e të pagjeturve. Edhe rastet që janë rivarrosur edhe pa analistë të ADN-së në asnjë rrethanë nuk do të thotë që janë rivarrosur janë identifikuar gabimisht. Në rastet të cilat kemi ardhur në përfundim se duhet të trajtohen në këto raste do të kontaktohen familjet”, shtoi ai.