Foto: Arban Abrashi/Facebook

Hoti flet për dyshimet se Arban Abrashi nuk respektoi vetizolimin

Më 27 nëntor pati raportime se ministri i Infrastrukturës Arban Abrashi nuk ka respektuar masat e vetizolimit, ai më 18 nëntor pati treguar se ka rezultuar pozitiv me COVID-19.

Sipas Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike personat që rezultojnë pozitivë me coronavirus duhet të vetizolohen për 2 javë apo 14 ditë.

Sot në një konferencë për media, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, tha se inspektorati duhet të merret me këtë rast dhe me secilin që ka dyshime se i ka shkelur rregullat.

“Nuk jam në dijeni. Kam parë informata por ne kemi inspektorat që merret me këto çështje. Le të merren edhe më të edhe me secilin mendohet se i ka shkelë këto masa”, tha Hoti.

Coronavirusi apo COVID-19 është sëmundje ngjitëse e cila transferohet te tjetri përmes spërklave të cilat përhapen në ajër përmes të folurit, kollitjes apo teshtitjes. Ky virus nisi të përhapet në fund të vitit të kaluar.

Bartja e maskave, mbajtja e distancës sociale prej së paku 1.5 metra dhe higjiena personale janë mënyra më e mirë për mbrojtje nga infeksioni COVID-19.