Masakrat e 26 marsit 1999, Kurti: Serbia po realizonte planin gjenocidal për shfarosjen e shqiptarëve

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka kujtuar masakrat e kryera nga forcat serbe në Krushë të Madhe, Krushë të Vogël dhe në Padalishtë, 25 vjet më parë.

Në pranverën e vitit 1999, sipas tij, Serbia po realizonte planin gjenocidal “Patkoi” për shfarosjen e popullsisë shqiptare vendase në Kosovë.

Duke thënë se të shtënat e mitralozave zgjatën disa minuta, kryeministri kosovar shkruan se si gratë e fëmijët u detyruan të largohen për në Shqipëri, kurse burrat e djemtë u vranë.

“Atë ditë, forcat serbe vranë 243 civilë shqiptarë në masakrën në Krushë të Madhe dhe 113 në Krushë të vogël”, shkruan mes tjerash Kurti.

Kryeministri kosovar ka përmendur edhe vrasjen e 48 familjarëve të familjes Berisha në Suharekë.

“I dëbuan familjarët nga shtëpitë dhe i çuan në një kafene. Pastaj hapën zjarr. Hodhën edhe eksplozive. Forcat serbe aty i vranë 48 anëtarë të familjes Berisha, përfshirë 11 fëmijë. Mes tyre, Dorentinën 3 vjeҫare, Ismetin 2 vjeҫar, ndërsa Eroni dhe Redoni ishin vetëm 1 vjeҫ. Trupat e tyre u dërguan në varrezë masive në Batajnicë, afër Beogradit”, shkruan Kurti.

Masakrës i mbijetuan Shyhrete Berisha, Vjollca Berisha dhe i biri i saj Gamoz Berisha.

Në atë ditë sulm u krye edhe në fshatin Padalishtë të Skenderajt kur u masakruan 19 anëtarë të familjes Imeraj, 11 gra e pesë fëmijë.

“Në Landovicë të Prizrenit, më 26 mars 1999, u vranë 23 banorë të këtij fshati dhe fshatrave tjerë, përfshirë gjashtë fëmijë dhe një grua shtatzënë”, thotë Kurti.

Kurti kujtoi edhe vrasjen e gjashtë burrave shqiptarë në rrugën “Ymer Grezda” në Gjakovë.

Këto masakra, “janë dëshmitë e gjenocidit të Serbisë”, thotë Kurti.

“Kujtesa e Kosovës është e freskët”, shkruan ai kur flet për vëllimin e librave “Kujtesa e Kosovës” me dëshmitë e të mbijetuarve të masakrës së Krushës së Madhe.

Ai përmendi edhe funksionalizimin e Institutit për Krimet e Kryera Gjatë Luftës që ka si qëllim dokumentimin e krimeve të luftës së fundit në Kosovë.

“Përkulemi me shumë dhembje, dashuri dhe krenari para kujtimit të të gjithë të vrarëve. Rënien e tyre me flijim e me sakrificë, e kemi udhërrëfim se si të ecim përpara”, shkruan në fund Kurti.