Foto: KALLXO.com

Haziri: Për koalicionin LDK-LVV, apeloj që të kemi edhe pak durim

Nënkyetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lufti Haziri, ka bërë apel për durim deri në përfundimin e konsultimeve të brendshme lidhur me koalicionin qeverisës LDK-LVV.

“Apeloj që të kemi edhe pak durim, sepse këto konsultimet e brendshme na mundësojnë që të eliminojmë çdolloj pengese dhe çdolloj bombe të kurdisur të mandatit 4+”, ka shkruar Haziri.

Ai përmes një postimi në Facebook ka shkruar se ndarja e drejtë dhe e balancuar e pushtetit do t’i jepnin fuqi koalicionit.

“Një ndarje e drejtë dhe e balancuar e pushtetit mbi parimet e mirëbesimit do të bënte që programi qeverisës, me VV’në udhëheqëse të Qeverisë e LDK’në udhëheqëse të Parlamentit, do t’i jepnin fuqi koalicionit. Do t’i jepnin mirëbesim dhe shkathtësi për t’u përballur me situatën politike, pasi agjenda politike është jashtëzakonisht e rëndë karshi faktorit ndërkombëtar, karshi opozitës së organizuar, karshi Qeverisë së re”, ka shkruar Haziri.

Ai tutje ka thënë se “e kaluara në bashkëqeverisje ka dëshmuar qartë se jemi gardianë të interesave të kësaj republike, dhe se përmes LDK’së dhe vetëm përmes LDK’së, partitë e tjera politike nuk i shohim si armiq, por si rivalë politikë”.

Haziri ka shkruar se do të ketë nevojë të punohet 24 orë në ditë e 7 ditë në javë në mënyrë që të kthehet besimi i qytetarëve, mërgimtarëve dhe ndërkombëtarëve në republikë.