Albulena Haxhiu

Haxhiu shprehet e zhgënjyer me trajtimin e rasteve të korrupsionit

Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu para Komisionit për Integrime Evropiane, përmendi disa raste penale në të cilat sipas saj institucionet e drejtësisë nuk kanë pasur vullnet për t`i trajtuar.

“Më duhet me shpreh zhgënjimin tim për rastet që kanë vëmendjen publike por që po dështojnë nga institucionet  e drejtësisë, siç është rasti ‘Toka, ‘Pronto’, ‘Veteranët’ siç e dini dje është kthyer në rigjykim, që nuk e kanë pasur vëmendjen dhe vullnetin për t’u trajtuar”, tha ajo.

Ajo po ashtu përmendi edhe rastin e prokurorit Elez Blakaj i cili u largua nga rasti ‘Veteranët’, duke thënë që në Qeverinë Kurti 2 nuk do të ndodhë diçka e tillë.

“Me qeverinë tonë nuk do të ketë situata dhe rrethana kur një prokuror apo gjyqtar që kërcënohet për rastin që e trajton. Unë kam besim që me procesin e vettingut do të kemi veprime serioze”, tha ajo.

Ministrja Haxhiu, tha që Qeveria Kurti është duke i bindur shtetet skeptike për vizat në Kosovë se janë duke luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin.

“Ne kemi pasur nga Holanda dhe Franca disa rezerva, jo pse Kosova nuk ka përmbushur detyrimet, unë besoj që pas zgjedhjeve atje do të vazhdoj dialogu për t`i bindur ata. Jam e njoftuar me angazhimin e qeverisë me shtete skeptike dhe presim që të kemi liberalizim të vizave, unë nuk mund të flas me data, sepse nuk do të ishte korrekte që të japim data. Ne i kemi garantuar shteteve për vullnetin e hekurt që ka Qeveria e Kurti për adresimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit”, theksoi ajo.

Se ka pak dënime për korrupsion në Kosovë, e ka pranuar edhe ish-kryeprokurori i shtetit, Aleksandër Lumezi.

“Kemi ngritur aktakuza, dhe sot askush nuk është i paprekshëm. Është e vërtetë që nuk po kemi aktgjykime dënuese, edhe ne nuk jemi të kënaqur me efikasitetin e gjykatave sa i përket dënimeve dhe llojit të sanksionit penal të nivelit të lartë”, ka thënë ai në emisionin ‘Kallxo Pernime’.

Mirëpo sipas Lumezit prokuroria ka shënuar progres në hulumtimin e rasteve të korrupsionit.

“Janë bërë në prokurorinë e shtetit lëvizje të mjaftueshme për luftimin rasteve të korrupsionit të nivelit të lartë dhe të krimit të organizuar, kemi hetuar personalitetet në pozitat më të larta shtetërore, duke filluar nga ish-kryeministri, nga deputet, ministra, zëvendësministra, sekretar permanent, polic, zyrtarë shtetëror”, ka theksuar ai

Lumezi: Aktakuza për veteranët nuk do të dështojë