Haxhiu qeverisë “Hoti” i referohet si "Qeveri Koti"

Ish-ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në tubimin e sotëm të cilin po e mban Lëvizja Vetëvendosje në nder të themelimit të saj dhe 21 vjetorit të çlirimit të Kosovës, tha se Qeveria të cilën e drejton Avdullah Hoti është qeveri koti dhe e njëjta nuk do të zgjas shumë.

“Propozuam nisma legjislative për vendimet e dëmshme të qeverive tjera ndër vite. Projekti ynë u shtri dhe do shtrihet në të gjitha komunat e Kosovës. Kjo është mirë për qytetarët por siklet i madh për keqbërësit. Zgjedhjet e vitit 2019 ishin fundi i PANHajnisë. Shumë pak do të zgjat kjo qeveri koti.  Qytetarët në zgjedhjet e vitit 2019 e vendosën LVV të parën dhe Albin Kurti ishte i pari. Por zgjedhjet e vitit 2019 ishin të rëndësishme edhe për një arsye, mbështetja e grave dhe vajzave për LVV-në”, tha Haxhiu.

Ajo shtoi se qeveria që drejton Hoti është ilegale.

“Qeveria sot është qeveri që nuk ka mbështetje popullore, është qeveri ilegale”, shtoi ajo.

Tutje Haxhiu, përmendi edhe sfida të tjera që nga koha e themelimit të “Vetëvendosjes” dhe hyrjes së tyre në kuvend.

“Vetëvendosje gëzon mbështetjen më të madhe në Kosovë. 15 vite dashuri për popullin dhe republikën, zhvillimin e barazinë, lirinë. 15 vite, alternativë, kalitje por edhe rritje, tubimi i sotëm e dëshmon këtë. Mbërritja këtu është rezultat i punës dhe angazhimit. Në dhjetorin e vitit 2010 LVV mori pjesë për të parën herë në zgjedhje, angazhimin tonë e pamë dhe jetësuam si mjet për të shtuar realizimin e qëllimeve me ju qytetarë të Kosovës. Përballë nesh patëm individë e grupime që morën vendime me kundërshtim me qytetarët tanë. Abuzuan me detyrën zyrtare dhe zhvatën pasurinë e Kosovës. Hajnat shkojnë në burg kur qeveris Lëvizja Vetëvendosje. Betejat tona ishin të vështira. Ne u kalitëm në përballje me të padrejtën dhe përpjekje të sinqerta. Ngjallëm virtytin e kritikës dhe dinjitetin e përfaqësimit sepse hymë në kuvend jo për t’u rehatuar por për ta transformuar kuvendin pasi që opozita për ne nuk ishte vetëm debat por edhe rezistencë”, tha Haxhiu.

Ish ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia tha se gjatë muajve të pandemisë është parë vullneti i mirë i qytetarëve e aktivistëve për tu përballur dhe menaxhuar pandeminë COVID-19.

“Sot jemi këtu më afër njëri- tjetrit. Në këtë 20 vjetor të çlirimit të vendit dhe 15 vjetor të themelimit të Vetëvendosjes. Çdo ditë në organizimin politik është një ditë e kapërcimit të vetë vetes. Kemi sfida të tjera të rënda. Së bashku do të kalojmë çdo sfidë me vizion e vullnet pa u ndalur. Gjatë këtyre muajve e kemi parë se sa është vullneti i mirë se sa i rëndësishëm është aktivisti e sa qytetarët. Betejën e pandemisë do ta kishim të pamundur pa mjekët, pa studentët, pa psikologët që kanë rrezikuar jetën e tyre për të na shpëtuar ne. Shpirti i aktivistit është shpirti i kontributit për tjetrin. Ne në 15 vite takuam shumë, u takuam ashtu që gjurmët e këtij takimit ta kishin emrin Vetëvendosje”, shtoi ai.

Lëvizja Vetëvendosje po mban tubim siç e ka quajtur paqësor, për të shënuar 21 vjetorin e çlirimit të Kosovës dhe 15 vjetorin e formimit të Vetëvendosjes.

Një numër i madh i zyrtarëve policor janë parë rreth e rreth Qeverisë së Kovës. Të njëjtit janë angazhuar për të mbajtur rend gjatë tubimit.