Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Haradinaj: Zero gjasa që AAK të përfshihet në qeveri me LVV-në

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, pas takimit me kryeministrin Albin Kurti ka thënë se temë e diskutimit ishte marrëveshja finale me Serbinë.

Ai tha se si AAK, kërkuan “garancë” që marrëveshja të ketë edhe vulën e Amerikës.

I pyetur se sa janë gjasat që partia e tij të bëhet pjesë e qeverisjes në momentin kur do të nënshkruhet kjo marrëveshje, Haradinaj është përgjigjur shkurt duke thënë se gjasat janë “zero”.

Haradinaj ka shtuar se Kosova duhet ta jetë serioze në këtë proces, ashtu siç janë aleatët e saj Ëashingtoni, Berlini, Londra e Parisi.

“Duhet të punojmë që Kosova të dalë e suksesshme. Ne jetojmë me obligimet që ka marrë Kosova në dialog, nuk mund të ikim nga ato obligime në këtë drejtim Aleanca nuk do të kursejë asgjë që ta ndihmojmë Kosovën, jo Albin Kurtin, jo Qeverinë por Kosovën”- ka thënë Haradinaj.

Ftesës së Kurtit për takim më kryetarët e partive opozitare i është përgjigjur vetëm AAK-ja.Haradinaj është shoqëruar nga Ardian Gjini, derisa takimi është i mbyllur për media.

LDK dhe PDK e kanë refuzuar ftesën e Kurtit.

Për këtë ftesë, kryetari i PDK-së Memli Krasniqi tha se i shkoi pa përmbajtje, pa agjendë dhe pa protokoll, që e bëri Krasniqin të dyshojë nëse është e vërtetë ose jo.

Ai tha se vetëm pasi kërkuan sqarime, kuptuan se takimi ishte ftuar të mbahej për një çështje që sipas tij është mjaft serioze, dialogu Kosovë – Serbi.

“Kuptuam me një fjali përmes emailit se bëhej fjalë për një temë shumë serioze siç është dialogu Kosovë-Serbi. Por, pa asnjë detaj konkret e pa specifikuar asgjë” – tha Krasniqi.

Haradinaj pas takimit me Kurtin: Kërkuam që marrëveshja ta ketë vulën e ShBA-ve