Flamuri izraelit - Foto: REL/AFP

Haradinaj-Stublla: Të hënën Kosova dhe Izraeli pritet të lidhin marrëdhënie diplomatike

Këtë të hënën, më 1 shkurt, Kosova dhe Izraeli pritet të lidhin marrëdhënie diplomatike.

Këtë e ka bërë të ditur ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla.

“Ditën e Hënë me datë 1 Shkurt, me një ceremoni solemne virtuale, do të firmoset formalizimi i marrëdhënieve diplomatike mes Republikës së Kosovës dhe Shtetit të Izraelit. Firmosja zyrtare e lidhjes së marrëdhënieve diplomatike do të bëhet nga Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, znj.Meliza Haradinaj-Stublla dhe Ministri i Punëve të Jashtme i Izraelit, z.Gabriel Ashkenazi”, thuhet në njoftimin e MPD-së.

“Ky moment tejet i rëndësishme për ne, është përjetësim i miqësisë së gjatë, mes popujve tanë, që tani po kurorëzohet me lidhjen e marrëdhënieve diplomatike”, është shprehur me këtë rast shefja e diplomacisë kosovare, duke shtuar se Kosova është përjetësisht mirënjohëse ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës.