Hoti kërkon marrëveshje për lëvizje pa viza nga Izreali për qytetarët e dy vendeve

Deputeti i LDK-së, njëherësh kryetari i grupit të miqsisë Kosovë-Izrael, Avdullah Hoti ka mbajtur takim online me homologun e tij nga Izraeli, Ali Salalha.

Hoti gjatë takimit të grupit të miqësisë ka pasur disa kërkesa për Salalha ndër to edhe marrëveshje ndërmjet dy vendeve për lëvizja pa viza.

“Disa nga kërkesat e Hoti ishin: Marrëveshje e mundshme për tregti të lirë, marrëveshje e mundshme për eliminim të tatimit të dyfishtë, marrëveshje e mundshme për lëvizje pa viza për qytetarët e të dyja vendeve, marrëveshje e mundshme për punësim sezonal në Izrael”, thuhet në komunikatën e Kuvendit të Kosovës.

Sipas këtij njoftimi Salalha u shpreh i gatshëm për të shtyrë përpara marrëveshjet e lartpërmendura dhe për të gjitha çështjet e mundshme që thellojnë më tutje bashkëpunimin ndërmjet vendeve.

“Palët u pajtuan që së shpejti të aranzhojnë takime të ndërsjella, të vazhdojnë bashkëpunimin, të shtyjnë përpara dhe t’i ndihmojnë qeveritë e tyre lidhur me marrëveshjet e mundshme ndërmjet Kosovës dhe Izraelit. Në këtë takim, pjesëmarrës ishin edhe ambasadoret e vendeve, Tamara Ziv, ambasadore e Izraelit për Republikën e Kosovës dhe Ines Demiri, ambasadore e Republikës së Kosovës në Izrael”, vazhdon njoftimi.