Policia e Kosovës: Ndeshja mes Kosovës e Izraelit, e qetë dhe pa incidente

Pas ndeshjes së futbollit, të luajtur mbrëmjen e të hënës në mes Izraelit dhe Kosovës, Policia e Kosovës ka njoftuar se në aspektin e sigurisë, mbarëvajtja e ndeshjes ka kaluar e qetë dhe pa incidente.

“Policia e Kosovës, në bashkëpunim dhe koordinim me FFK-në dhe akterët relevantë, ashtu siç e ka bërë të ditur me kohë, ka bërë planifikimet e saja operacionale për menaxhimin dhe mbarëvajtjen sa më të mirë të kësaj ndeshje sportive, duke u kujdesur për ofrimin e sigurisë që nga ardhja e kombëtares së Izraelit në Republikën e Kosovës e deri në kthimin e saj për në Izrael” – thuhet në njoftimin e Policisë.

Tutje, Policia vlerëson se qytetarët, mediat dhe të gjitha insitutcionet tjera janë meritore që kjo ndeshje ka kaluar e qetë dhe për këtë Policia i falenderon të gjithë ata.

Në kohën kur kishin mbërritur dy autobusët e ekipit të Izraelit, ato ishin shoqëruar nga makina të Policisë së Kosovës nga aeroporti deri në hotelin ku kanë qëndruar.

Ndeshja ishte zhvilluar në masa të rrepta të sigurisë.

KALLXO.com kishte raportuar se dy persona janë arrestuar pak para se të niste ndeshja e futbollit mes Kosovës dhe Izraelit.

Në një përgjigje për KALLXO.com, Zyra për Informim e Drejtorisë se Përgjithshme të Policisë së Kosovës kishte thënë se dy personat që janë arrestuar kanë rënë ndesh me rregullat e parapara dhe të njëjtit janë shoqëruar më pas në stacion policor.