Haradinaj: LVV dhe LDK nuk duhet të abuzojnë me situatën në vend

Kryeministri në largim, Ramush Haradinaj, ka thënë se nëse LVV dhe LDK nuk arrijnë të bëjnë koalicionin dhe vendi shkon në zgjedhje, atëherë atyre ‘iu faturohet pazotësia për formimin e institucioneve’.

“Mendoj se nuk duhet me abuzu me situatën në vend. Një qasje e tillë imponuese ose kërcënuese që i dëgjojmë tek partnerët e koalicionit më duket e çuditshme, kushdo që është mandatar zyrtar duhet të bëjë kujdes sepse i faturohet pazotësia për me i kriju institucionet. Nuk është rregull me bo eksperiment”, tha Haradinaj.

Ndërsa i pyetur se a do të votonte Qeverinë Kurti, Haradinaj tha se ende nuk e kanë definuar rolin e tyre si parti në legjislaturën e re.

“Ne nuk e kemi definu rolin tonë, por nëse Kosova ka ngecje të caktuara ne duhet me shqyrtu rolin tonë a duhet me qenë plotësisht indiferent, nuk e kemi qëndrimin me i hy në hatër z. Kurti, por duhet të jemi të zotë me e bo një kalkulim çka është më e duhur për Kosovën. Është mirë që të niset qeveria e re, t’i shohim si punojnë”, tha Haradinaj në një konferencë për media.

Kryeministri në largim ka thënë se fotografia e djeshme e Xhelal Sveçles me Marko Gjuriqin duhet të sqarohet nga LVV-ja.

“Risi është kjo situata me Vetëvendosjen, se ata një kohë të caktuar kanë pasur qëndrim kundër, pastaj kanë ndryshu qëndrim. Kjo meriton shpjegim nga LVV-ja”, tha ai.

Haradinaj në konferencë për medisa foli edhe për qytetarët e strehuar nga Shqipëria në Kosovë për shkak të tërmetit të 26 nëntorit me ç’rast njoftoi se ka filluar kthimi i tyre.

Haradinaj tha se tani në parkun invovativ në Prizren nga rreth 600, kanë mbetur 270 persona të cilët janë prekur nga tërmeti në Shqipëri.

“Ka qytetarë që dëshirojnë të kthehen por që hasin në vështirësi të transportit. Unë kam vendosur t’iu shkruaj letër komunave, që t’u sigurohet transport për këta persona, nëse hasin problem, ne ju japim përkrahje si nivel qendror” ka shtuar Haradinaj.

Dy muaj pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare me disa javë rinumërime votash, formimi i institucioneve të reja të vendit tashmë është në pritje të respektimit të afateve kushtetuese.

Përderisa pas certifikimit të zgjedhjeve, presidenti i vendit duhet të thërras seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës, partitë politike që morën më së shumti vota në zgjedhjet e 6 tetorit, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, ende nuk janë marrë vesh për  ndarjen e posteve në qeverinë e re, e cila duhet hedhur për votim në legjislativ.