Foto: KALLXO.com

7 javë numërime votash

Qendra e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) ka qenë ndër objektet me vëmendjen më të madhe publike javëve të fundit, që nga dita kur votuesit kosovarë dolvn para kutive të votimit për t’i zgjedhur përfaqësuesit e tyre në Kuvend për mandatin e ardhshëm.

Kanë kaluar më shumë se një muaj e gjysmë nga dita e zgjedhjeve, poir procesit zgjedhor nuk po i shihet fundit si pasojë e gabimeve në numërim të cilat çuan në ankesa të shumta nga subjektet politike dhe kandidatët në garë drejt Panelit Zgjedhor për Ankesa e Parashtresa (PZAP) dhe Gjykatës Supreme.

Pasi Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa i shqyrtoi ankesat e tyre, më 11 nëntor vendosi pro, kështu duke marrë vendim që të rinumërohen mbi 1,400 vendvotime dhe duke e mjegulluar edhe më tej rrugën drejt formimit të institucioneve të reja të vendit.

Por punëtorëve të përkohshëm të KQZ-së iu deshën pothuajse dy javë që të përfundojnë këtë proces.

Këtij rinumërimi iu gëzua më së shumti koalicioni Nisma-AKR-PD, e cila edhe kishte bërë ankesë në PZAP për votat e Serbisë së bashku me disa kandidatë të tjerë për deputëtë të partive të ndryshme.

Ky koalicion madje ende pa e shpallur Komisoni Qendror i Zgjedhjeve si të përfunduar procesin, doli me një komunikate se një gjë e tillë ka përfunduar dhe se falë kësaj ata janë bërë pjesë e Kuvendit të Kosovës.

Ata edhe treguan se cilët janë deputetët e kësaj partie që do të përfaqësohen në Kuvend. Sipas Nismës Fatmir Limaj, Behgjet Pacolli, Endrit Shala, Haxhi Shala, Albulena Balaj dhe Mirlinda Sopi do të jenë deputetët e këtij koalicioni në legjislaturën e re.

Në anën tjetër, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka deklaruar se rezultatet përfundimtare për secilën parti do të shpallen sapo të përfundojnë procedurat e nevojshme teknike e ligjore.

“Publikimi varet nga procedurat e QNR por më së largu deri nesër (të hënën) mund të bëhen publike”, ka thënë sot para mediave zëdhënësi i KZ-së, Valmir Elezi.

Zëdhënësi i KQZ-së i pyetur për kalimin e pragut të koalicionit NISMA-AKR-PD ka thënë se nuk i dinë rezultatet për asnjë parti.

“Nuk i dijmë rezultatet dhe do të presim publikimin e tyre në uebfaqe, ku aty do të dihen rezultatet për të gjitha subjektet politike dhe kandidatët që kanë qenë pjesë e kësaj gare”, tha Elezi.

Ky proces i rinumërimit megjithatë nuk kaloi pa incidente. Në QNR pati tensione mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Nismës Socialdemokrate, gjë që rezultoi edhe me incidente.

Më 21 nëntor, Në QNR ishin përleshur komisioneri i Lëvizjes Vetëvendosje, Valon Hoti, me atë Nismës Socialdemokrate, Endrit Zabërgja, i cili është nipi i liderit të kësaj partie, Fatmir Limaj.

Kurse, me  18 nëntor, vëzhguesi i Nismës, Behar Amërlllahu, i cili ka qenë asistent i ministrit në detyrë të Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala është përjashtuar nga procesi i rinumërimit që po bëhej në QNR, pasi koordinatori i kësaj qendre, Burim Ahmetaj ka thënë se ai ka përdorë gjuhë kërcënuese dhe fyese ndaj tij.

Kjo parti po ashtu kishte akuzuar anëtarët e VV-së në KQZ se po i bëjnë presion vëzhguesve të Nismës duke ndërhyrë dhe duke kapur fletëvotimet.

Përplasjet në Kosovë për votat nga Serbia

Por, procesi i rinumërimit nuk ishte i vetmi i cili ka zgjatur certifikimin e rezultateve të 6 tetorit.  Votat e ardhura nga Serbia janë bërë mollë sherri për subjektet politike në Kosovë, për shkak të ndikimit të tyre në ulëset në Kuvendin e Kosovës.

Pakot me vota nga shteti serb janë duke u hetuar nga Prokuroria e Kosovës, nën dyshimet për helmim pasi hapja e tyre u shkaktoi alergji komisionerëve të KQZ-së, javë më parë.

Fillimisht, Lëvizja Vetëvendosje, subjekti i cili i fitoi zgjedhjet e 6 tetorit, kishte kundërshtuar përfshirjen e këtyre votave në rezultatet finale duke i quajtur të kundërligjshme, përderisa Nisma-AKR-PD  dy herë radhazi u ankuan në PZAP, për të kërkuar zhvleftësimin e këtyre pakove.

Numërimi i tyre, e la jashtë Kuvendit koalicionin parazgjedhor Nisma Socialdemokrate-Aleanca Kosova e Re-Partia e Drejtësisë (Nisma-AKR-PD), kurse Lëvizja Vetëvendosje kishte kërkuar përfshirjen e tyre në rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve, për t’i pasur ende 3 deputetë më shumë.

Në anën tjetër, PZAP-i ka vendosur dy herë lidhur me ankesat e koalicionit Nisma-AKR-PD për shpalljen e pavlefshme të 3.782 fletëvotimeve të ardhura nga Serbia.

Fillimisht më 30 tetor 2019, Paneli i përbërë nga gjyqtarët Gyltene Sylejmani, Rrustem Thaqi dhe Ferki Rexhepi, kishin hedhur poshtë ankesën e koalicionit në fjalë për anulimin e fletëvotimeve të ardhura nga Serbia.

Ky Panel e kishte hedhur poshtë ankesën për anulimin e fletëvotimeve të ardhura nga Serbia për shkak se e kishte vlerësuar si të pasafatshme.

Lidhur me ankesat e sërishme të koalicionit NISMA-AKR-PD ndaj votave të ardhura nga Serbia, PZAP më 11 nëntor 2019 vendosi në mënyrë meritore duke i vlerësuar ankesat e koalicionit dhe përgjigjet e KQZ-së lidhur me këto vota.

Me këtë vendim PZAP urdhëroi KQZ-në që t’i largojë nga rezultati përfundimtar i zgjedhjeve të gjitha votat e përfshira nga fletëvotimet e ardhura me pako nga Serbia. Edhe Gjykata Supreme kishte vendosur pro kësaj ankese, kështu duke i larguar nga rezultatet e zgjedhjeve këto vota. 

Tentativat për krijimin e qeverisë së re

Në anën tjetër përderisa sot ka përfunduar rinumërimi i mbi 1,400 vendvotimeve, dy subjektet politike që dolën të parat në zgjedhjet e 6 tetorit, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës janë afër zyrtarizimit të koalicioni për formimin e Qeverisë.

Kjo parti që nga 18 tetori kishte filluar takimet me grupet punuese për të harmonizuar plan-programin qeverisës dhe tashmë janë duke u takuar liderët e këtyre partive.

Të premten ka qenë takimi i fundit mes liderit të VV-së Albin Kurti dhe atij të LDK-së, Isa Mustafa, të cilët thanë se një orë pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve do të arrijnë një marrëveshje për koalicioni.

“Në këtë takim diskutuam për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor dhe u morëm vesh që një orë pas çertifikimit të rezultateve shpresojmë e besojmë të ndodhë gjatë javës së ardhshme, do të takohemi dhe do ta bëjmë marrëveshjen brenda tri katër ditëve pas kësaj. Pra, jemi marrë vesh që të merremi vesh menjëherë pas çertifikimit të rezultateve, me ç’rast ftesa ime dhe përgjigja e Mustafës është dhënë”, ka thënë  lideri i Vetëvendosjes Albin Kurti, i cili pritet të jetë edhe kryeministër i Kosovës.

Edhe lideri i LDK-së Isa Mustafa, tha se pas çertifikimit të rezultatit, do të ulen në një takim me Kurtin dhe të merren për mundësinë e koalicionit.

“ Ne u morëm vesh që pasi të bëhet çertifikimi i rezultateve të ulemi bashkërisht me ekipet të merrem vesh për mundësinë e koalicionit qeverisës, themelimit të përbashkët të qeverisë mes dy subjekteve tona polike”, kishte thënë Isa Mustafa.

Po ashtu anëtarë të grupeve punuese të dy partive pas takimeve mes vete kishin deklaruar se kanë harmonizuar mbi 80% të plan-programit për bashkëqeverisje.

A do të vazhdojë rruga drejt certifikimit të rezultateve?

Përderisa, këto parti presin certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve të 6 tetorit, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka thënë sot se pas procesit të rinumërimit do të ketë ende punë për certifikimin e rezultateve, kjo pasi sipas tij duhet të konsultohen me PZAP-në dhe Gjykatën Supreme nëse do të pranojnë ndonjë ankesë për procesin e rinumërimit.

Po ashtu, sot Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), e ka refuzuar ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje për të numëruar 392 pakot me fletëvotime të ardhura me postë nga diaspora, e të cilat kanë arritur në KQZ më 12 nëntor. Dhe nuk dihet nëse kjo parti do të bëjë ankesë në Gjykatën Supreme.

Në anën tjetër, në nenin 106 paragrafin 1 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, shpjegohet se “KQZ-ja certifikon rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve, pas përfundimit të të gjitha procedurave në vendvotime dhe qendrat e numërimit si dhe kur të gjitha ankesat që u përkasin votimit dhe numërimit të vendosura nga PZAP-i dhe çdo apel ndaj vendimeve të PZAP-it lidhur me to të jetë vendosur nga Gjykata Supreme e Kosovës”.

Ndërkohë, Kushtetuta e Kosovës, neni 66 paragrafi i parë thotë se “Kuvendi i Kosovës zgjidhet me mandat katërvjeçar, duke filluar nga dita e seancës konstituive, që mbahet brenda tridhjetë(30) ditësh nga dita e shpalljes zyrtare të rezultateve të zgjedhjeve”.

Kurse për zgjedhjen e Qeverisë thotë se “Pas zgjedhjeve, Presidenti i Republikës së Kosovës i propozon Kuvendit kandidatin për kryeministër, në konsultim me partinë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën e nevojshme në Kuvend për ta formuar Qeverinë”.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve rezultatet për zgjedhjet e 6 tetorit i kishte publikuar me 7 nëntor dhe Lëvizja Vetëvendosje ka dalë subjekti më i votuar në këto zgjedhje me 220,811 vota ose 26.159% apo 32 deputetë.

Pasuar nga LDK me 205,458 vota apo 24.458% me 29 deputetë. Kurse partia e tretë ka dalur PDK-ja me 178,645 vota apo 21.163% apo 25 deputetë, duke u bërë për parti opozitare pas disa vitesh.

Koalicioni AAK-PSD ka marrë 96,883 vota apo 11,477% apo 14 deputetë. Lista Serbe ka marrë 10 deputetë apo 57,015 vota apo 6,754%.

Ndërsa, Koalicioni Nisma – AKR – PD nuk kishte arritur ta kalojë pragun zgjedhor. Ky koalicion kishte marrë vetëm 42,072 vota apo 4,984%, rezultat i cili ndryshoi në favor të këtij subjekti pasi rrathët e ankesave aprovuan kërkesën e këtij koalicioni që mbi 3 mijë vota të ardhura nga Serbia të mos hyjnë në tabelën e rezultateve.

Me 6 deputetë në Kuvend nga NISMA-AKR-PD ndryshon edhe përfaqësimi i partive tjera. Kësisoj VV do t’i ketë 29 deputetë, LDK 28, PDK 24 dhe AAK 13.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare u mbajtën pas dorëheqjes së kryeminstrit në detyrë, Ramush Haradinaj, pasi u ftua për intervistim nga Gjykata Speciale dhe nga shpërbërja e Kuvendit.