Haradinaj-Kurtit: Me e mbulu marren e rritjes së çmimeve, po don me i shti në burg disa
Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj në debatin parlamentar për rritjen e çmimeve, ka thënë se kryeministri Albin Kurti, “po i shtin në burg do” për të mbuluar situatën e krijuar me rritjen e çmimeve në Kosovë.
Haradinaj tha se kryeministri Kurti është dashur të hyj në burg pasi sipas tij nuk ka bërë asnjë përgatitje për të kaluar këtë krizë.
“Merreni me mend që ju jeni befasuar që janë rrit çmimet në vendin e juaj, pra jeni zgjuar në një mëngjes dhe e keni gjetur litrën e vajit 3.49 euro në shtetin që e udhëheq ti, e pastaj me mbulu atë marre je ka i njekë do, je ka don me i shti në burg do. Për me hy në burg më përpara u duft me hy kryeministri sesa ata që po i ndjek sot sepse asnjë përgatitje se ke bërë si të kalojë këtë krizë. Është e palogjikshme qasja e juaj”, u shpreh Haradinaj.
Haradinaj, kur ka folur për arrestimet, duket se ka nënkuptuar zhvillimet për zyrtarët policorë të arrestuar dje (e hënë) në stacionin e policisë kufitare në Gjakovë.
KALLXO.com raportoi se zyrtarët policorë kufitarë dyshohet se përfituan qindra euro ryshfet gjatë periudhës sa u zhvilluan masat e fshehta të hetimit.
Kuvendi i Kosovës po mban sot seancë të jashtëzakonshme lidhur me rritjen çmimeve. Aktualisht Kuvendi është në pauzë deri në ora 15:30.
Ditëve të fundit në Kosovë përveç çmimit të naftës është vërejtur rritje e çmimeve edhe të disa prej produkteve esenciale ushqimore. Disa nga produktet që pësuan rritje të çmimeve është vaji, sheqeri dhe mielli.
Me 10 mars në Kosovë çmimi i vajit shkoi në 3.49 euro.
KALLXO.com ka raportuar se janë mbyllur dy depo të supermarketëve në Fushë-Kosovë dhe Graçanicë. Në njërën prej tyre janë gjetur 100 mijë shishe vaj ndërsa në tjetrën 26 mijë të tjera.