Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Haradinaj: AAK kolektivisht do të ndihmojë Fondin e Sigurisë së Kosovës

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se kjo parti do të ndihmojë kolektivisht Fondin e Sigurisë së Kosovës.

Në një postim në Facebook, Haradinaj ka thënë se një vendim i tillë është marrë sot pasi për këtë është marrë pëlqimi i anëtarëve të Këshillit Drejtues dhe të Kryesisë së partisë.

I pari i AAK-së ka thënë se e konsiderojnë obligim dhe detyrë që ta ndihmojmë këtë Fond, që sipas Haradinaj është ndihmesë për shtetin dhe për sigurinë nacionale e rajonale.

Gjatë ditës së djeshme kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka njoftuar se është marrë vendim për themelimin e këtij Fondi.

Kryeministri kishte thënë se mjetet e mbledhura financiare synohet të përdoren në përputhje me strategjinë e sigurisë shtetërore të Republikës së Kosovës që pritet të miratohet nga Qeveria.

“Në përputhje me nevojat e Forcave të Sigurisë së Kosovës, situatës aktuale dhe pas konsultimeve me partnerët ndërkombëtarë, kam autorizuar sot Ministrinë e Financave për themelimin e “Fondit të Sigurisë”, ishte shprehur ai.