Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Hapen vendvotimet, kryetari i KQZ-së apelon të shfrytëzohet e drejta për të votuar

Në ora 7:00 në Kosovë ka nisur votimi për zgjedhjet të cilët do të nxjerrin kryetarët dhe asamblistët e 38 komunave.

Ndër të parët që ka votuar është kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi.

Ai ka votuar në Pejë.

Radoniqi u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese për të votuar.

Gjithashtu ai ftoi partitë politike dhe këshillat e vendvotimeve që të kontribuojnë në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.

Numri i qendrave të votimit në gjithë Kosovën është 883 me gjithsej 2,477 vendvotime.

Numri i përgjithshëm i kandidatëve të certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhjet e sotme është 5,364, prej të cilëve 166 kandidatë për kryetarë të komunave dhe 5,198 kandidatë për kuvende komunale.

Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, për zgjedhjet e sotme janë të regjistruar 1 milion e 885 mijë e 448 emra të votuesve, apo 90 mijë e 586 votues më shumë në krahasim me zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës që u mbajtën më 14 shkurt 2021.