Hamza: Kemi deponuar iniciativë ligjore për ligjin për TVSh

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike te Kosovës Berdi Hamza tha se në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit, është vendos për mbajtjen e seancës plenare më 27 maj dhe sipas tij një prej pikave është debati për arsim.

Hamza tha se kanë filluar të trajtojnë një iniciativë për ligjin për Tatimit mbi Vlerën e Shtuar.

“Duke pas në konsideratë rolin tonë opozitar në si PDK, kemi deponuar iniciativë ligjore për ligjin për TVSh për t’i ofruar lehtësi sektorit privat. Kjo do t’i ndihmoj bizneset. Është reformë e madhe por kjo është dashur të ndodh edhe më herët. Shpresoj që edhe deputetët e partive tjera ta përkrahin këtë projektligj dhe jemi të hapur për kërkesa që e plotësojnë këtë ligj”, tha Hamza.

Ai tha se kjo është prej reformave që duhet të ndodh.

“Kjo iniciativë është në procedurat e Kuvendit dhe besoj që shumë shpejtë do të trajtohet në kryesi për t’u trajtuar pastaj në seancë”, tha ai.

I pyetur se a e kanë diskutuar në kryesi ndonjëherë vaksinimin e deputetëve, Hamza tha se asnjëherë kjo temë nuk është diskutuar.