Gjysma e drejtorive në Han të Elezit, do drejtohen nga gratë

Komuna e Hanit të Elezit ka publikuar emrat e drejtorëve dhe drejtoreshave që do të udhëheqin në mandatin katër vjeçar të kryetarit të ri Mehmet Ballazhi.

Shtatë ditë pasi Ballazhi ka marr mandatin e kryetarit, ka formuar drejtoritë dhe në katër nga tetë drejtoritë do të udhëhiqen nga gratë.

Në emisionin “DebatPernime” Mehmet Ballzhi pati premtuar se në udhëheqje të drejtorive 50% do të jenë gra dhe 50% burra.

“Me ekipin tim qeverisës jemi marrë vesh që në katër vjetorin e qeverisës dhe do të jemi 50-50, pra 50 për qind burra dhe 50 për qind gra”, kishte premtuar Ballazhi.

Përmes një njoftimi në ueb faqen e Komunës së Hanit të Eleizit, bëhen të ditur emrat e drejtorëve të emëruar.

“Kryetari i Komunës së Hanit të Elezit, Mehmet Ballazhi prezanton anëtarët e ekzekutivit të komunës në përbërje: Sevdi Dernjani-nënkryetar i Komunës, Natyra Kalisi -drejtoreshë për Administratë, Lindita Ballazhi- drejtoreshë për Buxhet dhe Financa, Kimete Kuka-Hasallari -drejtoreshë për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Nexhmedin Daci-drejtor për Urbanizëm, Kadastër dhe Mbrojtje të Mjedisit, Majlinda Kaloshi-drejtoreshë për Zhvillim Ekonomik, Hisni Luri- drejtor për Arsim, Kulturë, Rini dhe Sport, Abduraman Bushi-drejtor për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural dhe Arsim Dernjani-drejtor për Shërbime Publike dhe Emergjencë”.

Mehmet Ballazhi nga Partia Demokratike e Kosovës ka fituar mandatin e kryetarit të Hanit të Elezit në rundin e parë të zgjedhjeve të 18 tetorit, ka marrë 2 mijë e 561 vota ose 51,33% duke lënë mbrapa Rufki Sumën me 2 mijë e 106 ose 42,21%.