Gjyqtari i Skenderajt del para bankës së të akuzuarve për ushtrim ndikimi

Rafet Ismajli, gjyqtar tanimë i suspenduar në Gjykatën e Mitrovicës, dega në Skenderaj u paraqit sot në Gjykatën e Prishtinës kur po përballet me akuzat për ushtrim ndikimi.

Në të njëjtin rast po akuzohet edhe ish-zyrtari policor Blerim Gashi.

Të dy të akuzuarit thanë se ndihen plotësisht të pafajshëm dhe se pretendimet e cekura në aktakuzë nuk qendrojnë.

Sipas dosjes se prokurorisë Rafet Ismajli, gjyqtar në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, dega Skenderaj, me datën 28.08.2019, në veturën e F.Z derisa së bashku po udhëtonin nga Skenderaj për në Prishtinë, mori nga dëshmitari të hollat në shumën prej 1,500 euro.

Sipas aktakuzës gjyqtari kishte marrë këtë shumë me qëllim që të ushtrojë ndikim të padrejtë tek Kryetari i Gjykatës Themelore në Mitrovicë për të marrë vendim për shtyrjen e ekzekutimit të dënimit me burgim, i shqiptuar me aktgjykimin e formës së prerë të Gjykatës Themelore në Mitrovicë, në rastin ndaj dëshmitarit F.Z në kohëzgjatje prej katër viteve e dhjetë muaj.

Aktakuza thotë se gjyqtari kishte planifikuar ushtrim të ndikimit të njejtë te gjyqtarët e Gjykatës Supreme të Kosovës për prishjen e aktgjykimit të lartëcekur me mjetin e jashtëzakonshëm juridik, kërkesën për mbrojtjen e ligjshmërisë.

Ndërkaq sa i përket të akuzuarit të dytë, ish- policit Blerim Gashi, sipas aktakuzës me datë 28.08.2019, në veturën e dëshmitarit F.Z në Fushë Kosovë mori nga dëshmitari të hollat në shumë prej 1.000 euro me qëllim që i pandehuri të ushtrojë ndikim të padrejte tek Gjyqtarët e Gjykatës Supreme të Kosovës ashtu që të njëjtit të prishin aktgjykimin e formës së prerë, të lartcekur të Gjykatës Themelore në Mitrovicë.

Prokurori Dren Paca me fillim të seancës bëri plotësimin e aktakuzës, me ç’rast u propozua që të shtohet denimi plotësues ndaj të njëjteve sa i përket ndalimit të ushtrimit të veprimtarisë ne administratë publike apo në funksione publike.