Donjeta Pajazitaj - Foto: Facebook

Gjykimi për vrasjen e Donjeta Pajazitajt, arrestohet për deklarim të rremë kryeplaku i fshatit Strellc

Në Gjykatën e Ferizajt, ku po zhvillohet gjykimi lidhur me vrasjen e Donjeta Pajazitajt, sot është arrestuar Haki Pajazitaj.

Arrestimi i tij ka ndodhur pasi që deklaratat e tij të dhëna në Prokurori e Polici binin ndesh me atë që e ka thënë sot gjat shqyrtimit gjyqësor.

Lidhur me këtë arrestim ka folur avokati Gëzim Kollqaku, i cili mbron të dyshuarin për vrasjen e Donjetës, Naser Pajazitaj.

“Po, gjatë shqyrtimit të sotëm gjyqësor një dëshmitar gjatë dëgjimit të tij deklaratat që i ka dhënë në Polici dhe në Prokurori i ka ndryshuar vazhdimisht duke thënë se “nuk kam thënë ashtu”, mandej prokurorja ka dhënë urdhër që ai të ndalohet për deklarim të rremë”, tha shkurt për KALLXO.com avokati Gëzim Kollqaku.

KALLXO.com merr vesh se i arrestuari është Haki Pajazitaj, kryeplaku i fshatit Strellc.

Kujtojmë se Naser Pajazitaj akuzohet se në mënyrë dinake e kishte vrarë Donjeta Pajazitajn, e cila ishte duke shkuar në punë.

Sipas Prokurorisë përderisa Donjeta Pajazitaj ishte duke shkuar në punë, i akuzuari Naser Pajazitaj ishte ndalë me veturë dhe e kishte marrë Donjetën me ç`rast e kishte dërguar tek vendi ‘Kroi i lajthisë’, ku më pas me dy plumba në kokë e kishte privuar nga jeta.

Por për këto akuza, Gjykata e Pejës në mungesë të provave e kishte liruar Naser Pajazitajn nga akuzat, mirëpo me këtë vendim nuk ishte pajtuar Gjykata e Apelit, e cila kishte vendosur që çështjen ta kthejë edhe një herë në gjykim.

Pas rigjykimit, Pajazitaj ishte dënuar me burgim të perjetshëm, vendim ky i cili në muajin korrik të vitit 2019 edhe ishte vërtetuar nga Gjykata e Apelit.

Tutje, Gjykata e Pejës kishte kërkuar që të përjashtohet nga ky rast pasi kishte marrë dy vendime skajshmërisht të ndryshme me njëri-tjetrin, me njërin duke e liruar, kurse me vendimin tjetër e kishte dënuar me burgim të përjetshëm.

Tani, pasi Gjykata Supreme i kishte prishur të dy vendimet e Gjykates së Pejës (edhe atë të lirimit edhe atë të dënimit me burgim të përjetshëm), lënda është duke u gjykuar në Gjykatën e Ferizajt.