Aktakuzë ndaj ish-drejtorit të Agjencisë së Shërbimeve të Navigacionit Ajror, Bahri Nuredinit

Prokuroria Speciale ka ngritur sot aktakuzë ndaj ish-drejtorit të Agjencisë së Shërbimeve të Navigacionit Ajror (ASHNA), Bahri Nuredinit.

Siç mëson KALLXO.com, aktakuza ndaj Nuredinit është ngritur për keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar.

Në njoftimin e Prokurorisë Speciale bëhet e ditur se aktakuza është ngritur edhe ndaj një personi tjetër me inicialet D.M., i dyshuar për të njejtën vepër.

“Prokuroria Speciale njofton opinionin publik se gjatë periudhës kohore nga muaji shtator 2011 deri në gusht 2018, në vazhdimësi dhe në cilësinë e personave zyrtarë në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës (ANP), më pas Agjencia e Shërbimeve të Navigacionit Ajror (AShNA), të pandehurit B.N. dhe D.M e kanë keqpërdorur detyrën zyrtare duke i mundësuar OE “TCN” nga Tirana, përfitim të kundërligjshëm”, thuhet në njoftim.

KALLXO.com ka provuar të kontaktojë përmes telefonit me Nuredinin por ai nuk ka qenë i qasshëm.

Nuredinit mandati si drejtor i Agjencisë së Shërbimeve të Navigacionit Ajror i ka përfunduar në qershor të vitit të kaluar.

Në vitin 2018, në emisionin ‘Jeta në Kosovë’ ishin publikuar një seri hulumtimesh rreth dyshimeve për keqpërdorime në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës.

Hulumtimet mund t’i gjeni KËTU.