Gjykimi ndaj Iran Badallit për shpërthimin në Zhur, i dëmtuar thotë se do kërkoj kompensim financiar

I dëmtuari fizikisht në shpërthimin në Zhur, Jetmir Hasanaj, edhe sot ka vazhduar të jap deklaratën lidhur me rastin e shpërthimit të eksplozivit në fshatin Zhur të Prizrenit ku kishte mbetur i vdekur polici Sami Thaçi.

Në seancën e kaluar, i dëmtuari-dëshmitar ishte përlotur teksa kishte filluar të tregonte se si kishte vdekur zyrtari policor Sami Thaçi, prandaj dhe seanca ishte ndërprerë.

Në pyetjen e avokates Ermira Gavazaj-Gashi, lidhur me komunikimin mes tashmë të ndjerit Thaçi dhe të akuzuarit, i dëmtuari u përgjigj se ai nuk ka qenë i pranishëm gjatë bisedës.

“Unë bisedën nuk e kam dëgjuar. Por e di që kanë komunikuar sepse Samiu më ka treguar që Iran Badalli nuk është në shtëpi, por gjendej në Prizren”, deklaroi i dëmtuari Hasanaj.

Si provë nga mbrojtësja e të akuzuarit u paraqit edhe dosja e dorëzuar nga krim-teknika nga ku shihet  TNT me një fitil ndezës në dhomën ku ka ndodhur shpërthimi.

Për këtë, dëshmitari – i dëmtuari u arsyetua se mbi shtrat ka pasur disa rroba dhe nuk kishte vërejtur asgjë të dyshimtë.

Hasanaj sqaroi se për shkak të dëmtimeve të përhershme që i kanë ndodhur nga ky eksplodim do të parashtroj kërkesën pasurore juridike në kontestin civil.

Mbrojtësja e Iran Badallit, Ermira Gavazaj-Gashi në fund të gjykimit i propozoi gjykatës që të dëgjohen si dëshmitarë gruaja dhe djali i të akuzuarit Badalli.

“Meqenëse prokurori në shqyrtimin gjyqësor heqë dorë nga dëgjimi i dëshmitares Leonita Shala, ndërsa të njëjtën e propozon që të dëgjohet si e dëmtuar, nga kundërshtimi jonë propozojmë që të dëgjohen si dëshmitarë Leonita Shala dhe i dëmtuari i mitur S.B”, tha avokatja Gavazaj-Gashi.

Lidhur me propozimin e mbrojtjes, do të vendoset në seancën e radhës me 23 dhjetor.

Sipas Prokurorisë, Iran Badalli dhe Arben Gashi, në fillim të muajit janar 2020, në Prizren, janë furnizuar nga Valbon Çollaku me mjete eksplozive dhe të njëjtin mjet e kanë fshehur në shtëpinë e Iran Badallit.

Aktakuza, thotë se pas kontrollit të shtëpisë nga Njësiti për Trafikimin me Narkotikë, mjeti ka eksploduar dhe si pasojë ka vdekur zyrtari policor Sami Thaçi, ndërsa tre zyrtarë të tjerë policorë ishin lënduar rëndë.

Në aktakuzë thuhet se edhe fëmija i të akuzuarit Iran Badalli, kishte pësuar lëndime të rënda trupore.

Sipas aktakuzës, Badalli dhe Gashi akuzohen se kanë mbajtur edhe eksploziv “TNT” në peshë prej 809.1 gramësh dhe një detonator mekanik në të cilin ishte i vendosur një fitil ngadalndezës në gjatësi prej 63 centimetra.

Ndërsa, i akuzuari Valbon Çollaku, ishte akuzuar se ka importuar, prodhuar ose shitur armë apo material plasës dhe të njëjtat të akuzuarve Iran Badallait dhe Arben Gashit ua kishte shitur për 400 euro.

Çollaku, kishte arritur marrëveshje për pranimin e fajësisë me Prokurorinë, pasi që paraprakisht i njëjti ishte shpallur edhe dëshmitar bashkëpunues për zbardhjen e ngjarjes.

Gjykata në Prizren, të akuzuarit Valbon Çollaku i kishte shqiptuar dënim me gjobë në shumë prej 1,000 euro dhe dënim me kusht në kohëzgjatje prej 6 muajve, dënim i cili nuk do të ekzekutohet nëse i akuzuari nuk kryen vepër të re penale brenda 2 vitesh.

Ndërkaq, gjykimi po vazhdon vetëm ndaj dy të akuzuarve, Iran Badallit dhe Arben Gashit, të cilët nga Prokuroria po akuzohen për dy vepra penale shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm, i cili ka rezultuar me vdekjen e një personi dhe lëndimin e disa zyrtarëve të tjerë të Policisë si dhe për veprën penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.

KALLXO.com kishte raportuar për këtë ngjarje – LINK.

Kjo ngjarje ishte trajtuar edhe në emisionin Drejtësia në Kosovë – LINK.