Foto: KALLXO.com

Gjykimi i Muhamet Alidemajt për masakrën e Izbicës, tre dëshmitarë dëshmojnë për masakrimin e familjarëve të tyre

Tre dëshmitarë janë dëgjuar sot në Gjykatën e Prishtinës në gjykimin e Muhamet Alidemajt, i akuzuar për krime lufte ndaj popullatës civile, konkretisht për masakrën në Izbicë.

Dëshminë e tij e dha S.Xh., i cili ka dëshmuar për masakrën e Izbicës edhe në Gjykatën e Hagës në gjykimin e Sllobodan Millosheviqit.

Dëshmitari rrëfeu se si nga vendi ku po fshihej gjatë masakrës ka arritur të shohë se si forcat paramilitare dhe ushtarake serbe i kanë ndarë popullatën në tre grupe, dy prej të cilëve i kanë dërguar në drejtim të lindjes kurse njërin grup në perëndim.

Tutje, S.Xh. shtoi se grupet e dërguara në perëndim i kanë ekzekutuar që të gjithë. Sipas tij, të gjithë ishin civilë.

Në pyetjen e prokurorit special, Ilir Morina, se a ia kishin vrarë ndonjë familjar, ai u përgjigj se dy kushërinj të afërt dhe 33 anëtarë të fisit.

Në Gjykatë dëshmoi edhe I.K., i cili ishte 12-vjeçar kur i mbijetoi masakrës në të cilën ia vranë gjyshin.

Ai kujtoi urdhrat e ushtarëve serbë pasi që i detyruan të gjithë fshatarët të dalin dhe të ulen në lëndinën e fshatit.

“Më kujtohet saktë një person i cili ka qenë me aftësi të kufizuara, kanë shkuar dhe e kanë nxjerrë nga prehri i nënës, e kanë ngreh zhag dhe e kanë vrarë” – tha ai.

Më tej, dëshmitari rrëfeu se si i kishin bërë rresht pleqtë dhe më pas kishin filluar krismat.

“Kanë dhënë urdhër t’i heqim plisat… Pasi që i kanë bërë rresht pleqtë, neve na kanë thënë që duhet të largohemi duke na sharë… Pastaj kanë fillu krismat po nuk na kanë lënë të kthehemi” – rrëfeu ai.

Dëshmitari tha se forcat serbe ia kishin vrarë gjyshin, të cilin më vonë forcat serbe e kanë zhvarrosur dhe mbetjet mortore të gjyshit janë gjetur pas luftës në afërsi të Zveçanit.

Dëshminë e tij e dha edhe dëshmitari i tretë, ish-ushtari i UÇK-së, XH.S., i cili është invalid i luftës.

I njëjti rrëfeu për gjyshen e tij 86-vjeçare, të cilën ai e gjeti të masakruar me thikë nga duart e forcave serbe, të cilët e kryen masakrën e Izbicës.

Ai gjithashtu shtoi se kishte parë edhe civilë të tjerë të masakruar.

“E kam parë të masakruar aty si gjyshen time, plaka dhe fëmijë të tjerë, n’daç pa duar, pa këmbë, pa sy – tmerr ka qenë!” – tha ai sot para trupit gjykues.

Kurse mbrojtja e të akuzuarit, avokatet Millosh Delloviq dhe Dejan Vllasiq, kanë kërkuar që Prokuroria të fokusohet në pyetje të cilat kanë të bëjnë me përgjegjësinë individuale të Alidemës, pasi që vetë masakrën e Izbicës nuk po e konteston askush.

Në lidhje me pyetjet që kishin të bënin me përfshirjen  individuale të Alidemës të tre dëshmitaret kanë deklaruar se personalisht nuk e kanë parë të njëjtin në ditën kritike.

Në seancën e sotme, trupi gjykues kishte përbërjen tjetër nga procedura e deritanishme.

Në vend të gjyqtares Violeta Namani u angazhua gjyqtari Kujtim Krasniqi, kurse kryetari i trupit Vesel Ismaili dhe anëtarja Suzana Çerkini mbeten të njëjtë.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, i akuzuari Muhamet Alidemaj ka kryer veprën penale – krime kundër popullatës civile në Kosovë gjatë kohës së luftës.

I njëjti sipas aktakuzës me 28 mars 1999 së bashku me forcat ushtarake dhe policore serbe kishin zbritur nga mali për t’u nisur në drejtim të fshatit Izbicë, me të arritur në fshat të njëjtit shkuan në shtëpinë e të dëmtuarës Xh.O., ku nga kjo e fundit morën shumën prej 1,000 marka gjermane e më pas i vunë flakën pasurisë së të dëmtuarës. Nën kërcënim të armës të njëjtën e kanë detyruar që t’i prijë gjatë kontrollit të shtëpisë së saj.

Tutje Alidemaj së bashku me ushtrinë dhe policinë serbe shkojnë te livadhi ku ishin të grumbulluar popullsia civile, duke përdorur dhunë, bëjnë ndarjen e grave dhe fëmijëve nën moshën 12-vjeç e dhunshëm i detyrojnë që të shkojnë në Shqipëri.

Ndërsa burrat i ndajnë në grupe dhe bëhet ekzekutimi i tyre me armë automatike, duke vrarë rreth 130 persona, ndërsa kishin arritur që të shpëtojnë vetëm 12 civilë.

Dy muaj pas këtij veprimi i akuzuari së bashku me pjesëtarët e tjerë të forcave serbe u kthye përsëri në fshat, i zhvarrosën trupat me ekskavator dhe i larguan duke i transportuar me disa kamionë në drejtim të panjohur. Ndërsa pas përfundimit të luftës trupat u gjendën në varrezat masive të Batajnicës, në Serbi.