Gjykata Themelore anulon Lejën Mjedisore për “Parkun e Aventurave” në Gërmi

Gjykata Themelore në Prishtinë, më 03.06.2024, ka marrë vendim për anulimin e Lejës Mjedisore Komunale të lëshuar nga Komuna e Prishtinës më 2020, për ndërtimin e “Parkut të Aventurave” në parkun Gërmia në kryeqytet.

Ndërtimin e “Parkut të Aventurave” në Gërmi e kishin kundërshtuar organizata të shoqërisë civile në Kosovë si ”Qytetarët Aktivë”, për shkak të procedurave të zhvilluara, ndërsa për këtë temë në vitin 2021 në emisionin Kallxo Përnime ishin zhvilluar dy debate, me përfaqësues të Komunës së Prishtinës dhe përfaqësues të OJQ-ve.

Gjykata ka konsideruar se lëshimi i Lejës Mjedisore Komunale pa hartuar një raport të Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis (VNM), është bërë në kundërshtim me Ligjin për VNM-në.

Sipas Gjykatës, projekti në fjalë bie te “Shtojca II” e Ligjit, e cila thotë se projekte të tilla duhet të ekzaminohen veçmas nëse duhet të bëhet raporti i VNM-së.

“Duke u bazuar në shkresat e lëndës dhe në përgjigjen e Ministrisë së Mjedisit, nuk rezulton se sqarimi me shkrim i dhënë nga Agjencia Kosovare për Mbrojtjen e Mjedisit është mbështetur dhe ka ndjekur kriteret e përcaktuara në Ligjin për VNM, që përcakton se projektet e renditura në Shtojcën II, do të ekzaminohen rast për rast në pajtim me kriteret e cekura në Shtojcën III, për të përcaktuar nëse duhet t’i nënshtrohen VNM-së” – ka arsyetuar Gjykata Themelore vendimin e saj.

Tutje, Gjykata ka konsideruar se edhe mosmbajtja e një dëgjimi publik në lidhje me projektin është në kundërshtim me Ligjin, duke përkujtuar se edhe Kushtetuta dhe aktet e tjera nënligjore kërkojnë që organet vendimmarrëse të sigurojnë pjesëmarrje dhe rol aktiv të publikut në raste të tilla.

“Institucionet e pushtetit publik angazhohen për t’i garantuar secilit mundësinë që të ndikojë në vendimet që kanë të bëjnë me mjedisin jetësor ku ajo/ai jeton. Ndikimi në mjedisin jetësor merret parasysh nga institucionet publike në procesin e marrjes së vendimeve”- thuhet ndër të tjera në arsyetimin e Gjykatës.

Padinë ndaj Lejës Mjedisore Komunale të lëshuar nga Komuna e Prishtinës për “Parkun e Aventurave” e kishte bërë Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS).

Fillimisht, pas padisë së bërë, projekti ishte pezulluar dhe Gjykata Themelore kishte marrë vendim për caktim të masës së sigurisë. Vendimin e Themelores e kishin vërtetuar më pas edhe Gjykata e Apelit dhe Gjykata Supreme.

Me 18.08.2022, nënkryetarja e Prishtinës në atë kohë, Donjeta Sahatçiu, kishte thënë se “Parku i Aventurave” do të zhvendosej tek Pylli i Arinjëve në fshatin Mramor, afër Liqenit të Badovcit.

Ndaj vendimit të Gjykatës Themelore për anulimin e Lejës Mjedisore Komunale, lejohet ankesa në Gjykatën e Apelit brenda 15 ditëve.

Të gjitha raportimet e KALLXO.com për këtë temë mund t’i gjeni KËTU.