Gjykata Kushtetuese hedh poshtë ankesën e grupit 'Drenica'

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka hedhur poshtë ankesën e të akuzuarve për krime lufte në rastin gjyqësor të njohur si “Drenica 2”.

Zeqir Demaku, Jahir Demaku, Fadil Demaku, Nexhat Demaku, Isni Thaçi, Bashkim Demaj, Selman Demaj, Driton Demaj dhe Agim Demaj, kishin bërë ankesë në Gjykatën Kushtetuese ndaj aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, i cili, sipas tyre, u ka shkelur të drejtat për barazi para ligjit dhe e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm.

Parashtruesit e kërkesës po ashtu pretenduan se Gjykata Supreme me vendimin e kontestuar i ka shkelur të dënuarit Sylejman Selimi të drejtën e lirisë dhe sigurisë.

Ata kishin kërkuar nga Gjykata Kushtetuese që të vendosë masë të përkohshme, përkatësisht të ndalojë ekzekutimin e vendimit të kontestuar, si dhe të vendosë masë të përkohshme, përkatësisht të bëjë pezullimin e procedurës së ekzekutimit të dënimeve nga Gjykata e Mitrovicës deri në vendosje të kësaj lëndë nga Gjykata Kushtetuese.

Gjykata Kushtetuese me vendim unanim të gjyqtarëve vendosi të deklarojë kërkesën të papranueshme, ndërsa e refuzoi kërkesën për masë të përkohshme.

Vendimin e plotë të Gjykatës Kushtetuese mund ta gjeni në këtë link.

Gjykata Supreme e Kosovës kishte refuzuar të gjitha kërkesat për mbrojtje të ligjshmërisë të paraqitur në rastin e njohur si “Drenica 2”.

Gjykata Supreme pas seancës së mbajtur më 19 korrik 2017 kishte vendosur të refuzojë 11 kërkesa për mbrojtje të ligjshmërisë.

“Gjykata  Supreme e Kosovës duke vendosur lidhur me 11 kërkesat për mbrojtje të ligjshmërisë, të gjitha të ushtruara kundër aktgjykimit të Gjykatës Themelore të Mitrovicës të datës 27 maj 2015 në rastin, dhe aktgjykimit të Gjykatës së Apelit të datës 14 shtator 2016 në i ka refuzuar të gjitha kërkesat për mbrojtje të ligjshmërisë si të pabazuara”, thuhej në komunikatën e Gjykatës Supreme.

Gjykata Supreme Vendos Për Rastin ‘Drenica 2’

Në maj të vitit 2015, Gjykata e Mitrovicës kishte gjetur fajtorë dhe kishte dënuar me 8 vjet burg Sylejman Selimin për keqtrajtim të ndaluarve në fshatin Likoc gjatë luftës. Së bashku me Selimin, Isni Thaçi dhe Jahir e Zeqir Demaku u dënuan me nga 7 vjet burg, ndërsa me 3 vjet burg u dënua ish-kryetari i Drenasit Nexhat Demaku.

Dënimin prej 3 vjetësh Gjykata ua shqiptoi edhe Agim, Selman, Driton e Bashkim Demajt dhe Fadil Demakut.

Aktakuza ngarkonte Sylejman Selimin, Isni Thaçin, Agim, Bashkim, Selman e Driton Demajn dhe Fadil, Zeqir, Nexhat e Jahir Demakun se një pjesë të veprave penale për të cilat akuzohen, i kanë kryer në një datë të papërcaktuar të shtatorit 1998 në Likovc.

Sipas aktakuzës të ndaluarit janë keqtrajtuar “duke i rrahur ata me grushte dhe shkopinj druri, duke detyruar Dëshmitarin A dhe Dëshmitarin B të rrahin njëri tjetrin, duke e pickuar Dëshmitarin A nga organet gjenitale me një mjet të hekurt dhe tërhequr me të duke e zvarrisur nëpër dysheme”.

Dëshmitari A nga rrahjet në grup, pësoi thyerje brinjësh dhe plagë në organet gjenitale, ndërsa iu lëndua edhe njëri bërryl.

Sylejman Selimit edhe Tetë Vjet Burg në “Drenica 2”

 

Prokurori Jep Fjalën Përfundimtare në Rastin “Drenica 2”