Pamje nga njëra prej seancave të rastit "Drenica 2" | Foto: KALLXO.com

Gjykata Kushtetuese e kthen në rishqyrtim gjykimin ndaj Sylejman Selimit e Nexhat Demakut

Gjykata Kushtetuese ka urdhëruar që rasti gjyqësor i quajtur “Drenica 2” të kthehet në rishqyrtim.

Me vendimin e publikuar sot, Gjykata e ka shpallur të pavlefshëm vendimin e Gjykatës Supreme e cila kishte refuzuar ankesat e mbrojtësve të të akuzuarve në këtë grup dhe e ka kthyer këtë rast në rishqyrtim te e njëjta gjykatë.

Në shtator të vitit të kaluar, Gjykata Supreme e Kosovës kishte refuzuar të gjitha kërkesat për mbrojtje të ligjshmërisë të paraqitur në rastin e njohur si “Drenica2”.

Përmes një njoftimi për media Gjykata Supreme bënte të ditur se pas seancës së mbajtur më 19 korrik 2017 ka vendosur të refuzojë 11 kërkesa për mbrojtje të ligjshmërisë.

“Gjykata  Supreme e Kosovës duke vendosur lidhur me 11 kërkesat për mbrojtje të ligjshmërisë, të gjitha të ushtruara kundër aktgjykimit të Gjykatës Themelore të Mitrovicës të datës 27 maj 2015 në rastin, dhe aktgjykimit të Gjykatës së Apelit të datës 14 shtator 2016 në i ka refuzuar të gjitha kërkesat për mbrojtje të ligjshmërisë si të pabazuara”, thuhet  në komunikatën e lëshuar nga Zyra për informim e Gjykatës Supreme.

https://kallxo.com/gjykata-supreme-vendos-per-rastin-drenicaii/

Në maj të vitit 2015, Gjykata Themelore në Mitrovicë kishte gjetur fajtorë dhe kishte dënuar me 8 vjet burg Sylejman Selimin për keqtrajtim të ndaluarve në fshatin Likoc gjatë luftës. Së bashku me Selimin, Isni Thaçi dhe Jahir e Zeqir Demaku u dënuan me nga 7 vjet burg, ndërsa me 3 vjet burg u dënua ish-kryetari i Drenasit Nexhat Demaku.

Dënimin prej 3 vjetësh gjykata ua shqiptoi edhe Agim, Selman, Driton e Bashkim Demajt dhe Fadil Demakut.

Gjykata Kushtetuese tha sot përmes një komunikate se kërkesa për mbrojtjen e ligjshmërisë u refuzua nga Gjykata Supreme e cila kishte arsyetuar vendimin e saj lidhur me pretendimet e parashtruesve për shkelje të rregullave për caktimin e gjyqtarëve në trupat gjykues, duke theksuar se, bazuar në Udhëzimin e EULEX-it, kryetari i gjyqtarëve të EULEX-it ka liri të plotë për t’i caktuar gjyqtarët në kolegje, pavarësisht ndonjë rregulli të veçantë të përmbajtur në Udhëzim.

“Në trajtimin e pretendimeve të parashtruesve të kërkesës në lidhje me përbërjen e trupit gjykues të Gjykatës Themelore, Gjykata Kushtetuese vërejti se sipas praktikës gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejta të Njeriut, e drejta për një gjykim të drejtë përfshin të drejtën për një vendim të arsyetuar. Lidhur me këtë, Gjykata Kushtetuese vlerësoi se arsyetimi i Gjykatës Supreme, gjatë shqyrtimit të pretendimeve të parashtruesve në lidhje me caktimin e gjyqtarëve në trupin gjykues të Gjykatës Themelore, kryesisht ishte i kufizuar në shkelje të mundshme të KPP-së dhe nuk ka marrë parasysh normat e tjera relevante të aplikueshme për caktimin e gjyqtarëve në trupat gjykues, përkatësisht parimet e parapara me Ligjin nr. 03/l-053 mbi Kompetencat, Përzgjedhjen e Lёndёve dhe Caktimin e Lёndёve tё Gjyqtarëve dhe Prokurorëve tё EULEX-it nё Kosovë dhe të legjislacionit që rrjedh prej tij. Gjykata Kushtetuese gjithashtu vlerësoi se, sipas praktikës së saj gjyqësore, të gjithë gjyqtarët, duke përfshirë edhe gjyqtarët e EULEX-it, kanë obligim të zbatojnë ligjet e miratuara nga Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe rrjedhimisht, legjislacionin që rrjedh prej tij”, thuhet në komunikatën e Gjykatës Kushtetuese.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për rastin “Drenica 2”

Në komunikatë thuhet se Gjykata Kushtetuese konstatoi se duke mos dhënë një vlerësim dhe justifikim të plotë lidhur me atë se a është zbatuar e tërë korniza e dispozitave të zbatueshme ligjore, duke përfshirë edhe parimin e kritereve objektive të paracaktuara dhe të masave siguruese procedurale, në lidhje me caktimin e gjyqtarëve në trupin gjykues në rastin e parashtruesve të kërkesës në Gjykatën Themelore, Gjykata Supreme “kishte shkelur të drejtën e parashtruesve të kërkesës për një vendim të arsyetuar, dhe me këtë kishte shkelur të drejtën e parashtruesve të kërkesës për një gjykim të drejtë dhe të paanshëm, siç garantohet me nenin 31 të Kushtetutës dhe nenin 6 të KEDNJ-së”.