Foto: Ilustrim

Gjilan, refuzon të futet në karantinë, arrestohet nga policia

Policia e Kosovës e ka arrestuar një person në dyshimin se në mënyrë të kundërligjshme nga Republika e Shqipërisë kishte hyrë në Kosovë  pa i përfillur kontrollet  në kufi  ku parashihet vendosja në karantinë dhe kishte shkuar në shtëpi.

Rasti  ka ndodhur në fshatin Malishevë e Epërme të Gjilanit, më 5 prill rreth orës 17:00.

Sipas PK-së, të dyshuarit nga stafi mjekësor i është bërë kontrolli mjekësor dhe është dërguar në karantinë në Prishtinë.

Ndaj të dyshuarit në konsultim me prokurorin është iniciuar lënda e rastit dhe procedohet në procedurë të rregullt.

Për shkak të gjendjes nga coronavirusi, Qeveria në detyrë kishte vendosur se secili qytetar i Kosovës që kthehet nga ndonjë shtet tjetër, duhet të futet në karantinë për 14 ditë.

Deri më tani në Kosovë, me COVID-19 janë infektuar 227 persona, kanë vdekur 7 dhe janë shëruar 38 pacientë.