Gjilani

Gjilan, asnjë mostër s’është dërguar sot për testim për COVID-19

Asnjë rast i dyshuar me coronavirus nuk është testuar sot në Gjilan.

Kështu ka bërë të ditur drejtori i Shëndetësisë në këtë Komunë, Selami Xhemaili.

“Gjatë ditës së sotme nuk është marrë asnjë mostër në komunën tonë dhe nuk kemi të dyshuar asnjë rast”, tha Xhemaili për KALLXO.com.

“Më herët i mora edhe raportet e QKMF-së dhe Spitalit si dhe kam kontaktuar me epidemiologen dhe as gjatë ditës dhe natës së kaluar nuk janë marrë asnjë mostër për testim”, shtoi ai.

Dje, Xhemaili po ashtu për KALLXO.com potencoi se ka mungesë të numrit të testeve për COVID-19.

Në Gjilan numri total i të prekurve me COVID-19 është 24, kurse në nivel vendi janë 377. Prej tyre 63 janë shëruar dhe 8 kanë vdekur.

Ndërsa, në nivel global, numri i personave të diagnostikuar me coronavirus ka shkuar në 1 milionë e 945 mijë e 55, 121 mijë e 897 viktima dhe 413 mijë e 441 persona janë shëruar.