Ilustrim

Gjilan, arrestohen dy persona dhe sekuestrohen armë e municion pa leje

Policia e Kosovës njofton se ka arrestuar dy persona në Gjilan nën dyshimin se posedonin armë zjarri pa leje valide.

Sipas njoftimit, Policia në Gjilan gjatë hetimit të një rasti “Dhunë në Familje” kanë arritur të sigurojnë informatë lidhur me një person, i cili dyshohej se në shtëpinë e tij në Malishevë të Gjilanit posedon armë të zjarrit pa leje valide.

Arrestimi i dy personave ka ndodhur dje në orët e mbrëmjes në shtëpinë e njërit prej të dyshuarve, ku policia në koordinim me prokurorin e shtetit në Gjilan kanë kontrolluar shtëpinë dhe objektet përcjellëse të të dyshuarit dhe gjatë bastisjes janë gjetur dhe sekuestruar disa dëshmi.

“Një pistoletë “ZASTAVA’’, prodhim jugosllav e kalibrit 6.35 mm, 56 fishekë të kalibrit 6.35 mm, një karikator i zbrazët i pistoletës, një pushkë automatike AK-47 e kalibrit 7.62mm, një karikator i zbrazët i pushkës automatike, 14 copë fishekë të kalibrit 7.62 mm”, thuhet në raportin e policisë.

Me urdhër të prokurorit, pas procedurave ligjore ndaj dy të dyshuarve është ngritur kallëzim penal dhe rasti është referuar në Prokurorinë e Gjilanit në procedurë të rregullt.