Gjermania i dhuron Kosovës 15 respiratorë për luftë kundër COVID-19

Gjermania sot ka i ka dhuruar institucioneve shëndetësore të Kosovës 15 respiratorë për pacientët e infektuar me SARS-CoV-2.

Ushtruesi i Detyrës i Drejtorit të ShSKUK-së, Valbon Krasniqi, tha se ky nuk është donacioni i parë i shtetit gjerman për Kosovën, gjithashtu ai theksoi se gjatë kësaj kohe një numër i madh i pacientëve kanë pasur nevojë për trajtim me respiratorë.

“Gjatë kohës së pandemisë një numër i madh i pacientëve kanë pasë nevojë për trajtim nëpër repartet e kujdesit intensiv dhe këto aparate respiratorë shkojnë direkt në funksion të ngritjes së cilësisë dhe shërbimeve për të gjithë pacientët të cilët kanë nevojë”, u shpreh Krasniqi.

Krasniqi u premtoi taksapaguesve gjermanë se këto pajisje do të përdorën në mënyrë të rregullt dhe vetëm për qëllimin e destinuar, për pacientët me COVID-19.

“Por që të mos kemi nevojë për pajisje duhet të respektojmë masat”, potencoi ai.

I pranishëm në këtë dorëzim – pranim të këtij donacioni ishte edhe Ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj, i cili këtë donacion e quajti të çmuar.

“Ky donacion i çmuar për neve është ndihmë për profesionistët shëndetësorë të ciëlt angazhohen me mundin sakrificën, profesionalizimin e tyre për të shpëtuar çdo jetë që mund të përballet me pandeminë COVID-19”, tha Ministri.

Ambasadori gjerman, Joen Rohde, uroi që të mos jenë të nevojshëm këto pajisje për pacientët e infektuar me COVID-19.

“Meqenëse i kemi marrë këto pajisje shpresoj të mos i përdorim apo t’i përdorim sa më pak që është e mundur. Kjo do të thotë se jemi në rrugë të suksesshme për ta mundur pandeminë dhe për të bërë një gjë të tillë kushti kryesor është që t’i përmbahemi rregullave”, tha ambasadori.

Ministri Zemaj si dhe ushtrues detyre i drejtorit të ShSKUK-së, Valbon Krasniqi u shprehën falënderues ndaj shtetit gjerman për donacionin e dhuruar.

Numri total i rasteve pozitive është 15.938 raste nga 71.865 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 638 raste të vdekjes.