Komuna e Gjakovës, FOTO: KALLXO.com

Gjakovë, Policia me kërkesë të Prokurorisë merr dosjen e një konkursi të shpallur nga Komuna

Të hënën me 14 shkurt Policia e Kosovës me kërkesën e Prokurorisë në Gjakovë, ka marrë dosjen e një konkursi të shpallur nga ana e Komunës së Gjakovës.

Marrja e dosjes është bërë pasi që Komuna e Gjakovës kishte refuzuar që atë të ia përcjellë Inspektoriatit të Arsimit në Gjakovë.

Konkursi i shpallur nga Komuna e Gjakovës ishte për pozitën ‘Mësimdhënës i Kimisë me kohë të caktuar’.

Kryeinspektori i Arsimit në Gjakovë, Gjergj Gojani, pasi ka bërë kërkesën për të marrë këtë dosje dhe pasi Komuna nuk ia ka dhënë, është drejtuar te Policia e Kosovës. Këta të fundit e kanë orientuar tek kryeprokurori i Gjakovës, Ramiz Buzhala, i cili ka urdhëruar Policinë që të marrë dosjen nga Komuna e Gjakovës.

Në një përgjigje për KALLXO.com, Kushtrim Brahimaj, udhëheqës i sektorit të burimeve njerëzore në Komunën e Gjakovës, ka thënë se Policia ka marrë dosjet e konkursit, pa prezantuar ndonjë vendim të prokurorit.

“Ju konfirmojmë se Policia e Kosovës, sipas tyre me urdhër të prokurorit me datë 14.02.2022 ka marr në Komunën e Gjakovës dosjet dhe testet e kandidatëve që kishin aplikuar në konkursin për pozitën ‘Mësimdhënës i Kimisë me kohë të caktuar’. Neve nuk na është prezantuar asnjë vendim i prokurorit”, ka thënë Brahimaj për KALLXO.com.

Ai ka thënë se Policia ka bërë të ditur se në lidhje me konkursin nuk ka ndonjë rast apo procedurë të hapur, por që dosja është dorëzuar tek Inspektori i Arsimit.

Ndërsa kryeinspektori i Arsimit në Gjakovë, Gjergj Gojani, në një përgjigje për KALLXO.com, ka thënë se pasi që ka pranuar ankesa rreth këtij konkursi, ka kërkuar nga Komuna e Gjakovës që të marrë dosjen.

Sipas tij, Komuna ka refuzuar t’i lejojë qasje.

“Pas një kërkese me gojë dhe me shkrim, ata nuk më kanë leju qasje. Unë gjithmonë sipas Ligjit kam kërku. Unë kam shkuar në Polici, ata më thanë nuk e dijmë këtë çështje, por po shkojmë te kryeprokurori. Jam takuar me të në zyre dhe i ka urdhëruar dy policë dhe bashkë me ta kemi shkuar në Komunë”, ka thënë Gojani.

Në anën tjetër, kryeprokurori i Gjakovës, Ramiz Buzhala, për KALLXO.com ka thënë se nuk ka qenë nevoja që të lëshohet urdhëresa me shkrim, për marrjen e dosjes së konkursit.

Sipas tij, pasi kanë shkuar Policia në Komunë, këta të fundit kanë dorëzuar dokumentet e kërkuara.

Buzhala tha se nëse Komuna do të refuzonte ofrimin e dokumenteve Policisë, atëherë prokuroria me miratimin e Gjykatës do të lëshonte urdhëresë për bastisje.

“Janë paralajmëru që nëse nuk jepen me pëlqim (dokumentet), atëherë merret urdhëri prej Gjykatës dhe lëshohet urdhëresa për bastisje. Janë kërku dokumentet, janë dhënë. Prezent kanë qenë Policia dhe dokumentet janë dhënë me pëlqim”, ka thënë Buzhala.

Por udhëheqësi i burimeve njerëzore në Komunë të Gjakovës, Kushtrim Brahimaj ka thënë se dosja nuk është dhënë me pëlqim, por vetëm pas paralajmërimit se mund të ketë bastisje.

“Dokumentet janë marrë pa pëlqimin tonë. Sipas Policisë kishin urdhër verbal nga Prokurori që nëse nuk i dorëzojmë dokumentet, të fillojnë me bastisje”, ka thënë Brahimaj.

Rezultatet e konkursit për pozitën ‘Mësimdhënës i Kimisë me kohë të caktuar’, janë publikuar më 10 shkurt 2022. Sipas rezultatit, në këtë konkurs janë pranuar 6 kandidatë. Njëri kandidat është punësuar në shkollën e mesme ‘Hysni Zajmi’, ndërsa pesë të tjerë do të orientohen sipas nevojave të Drejtorisë së Arsimit në Gjakovë.