Ilustrim - Gjykata e Gjakovës

Gjakovë, paraburgim për të dyshuarit për vrasje në tentativë

Pas kërkesës së Prokurorisë, Gjykata e Gjakovës ka njoftuar se ka caktuar një muaj paraburgim ndaj dy të pandehurve H.B. dhe F.B., të dyshuar për tentim vrasje në bashkëkryerje.

H.B. dhe F.B. po dyshohen për rastin që ka ndodhur në fshatin Bec të Gjakovës të premten rreth orës 19:00.

“Më 28.08.0020 rreth orës 19.20min, në fshatin Bec të Gjakovë, të pandehurit H. B. dhe F. B. me dashje tentojnë të privojnë nga jeta të dëmtuarin I. A. për shkak të disa mosmarrëveshjeve të mëhershme që kanë në mes vete. Ditën kritike të pandehurit furishëm e godasin me veturë të dëmtuarin I. A., pastaj nga ajo veturë kishin dalë dy të dyshuarit të cilët e kishin goditë me shufra metali dhe më pas ishin larguar nga vendi i ngjarjes”, thuhet në njoftimin e Gjykatës së Gjakovës.

Sipas njoftimit të Gjykatës, me këto veprime të pandehurit H. B. dhe F. B. dyshohen të kenë kryer veprën penale – vrasja e ngelur në tentativë.

Gjyqtari i procedurës paraprake, Gëzim Pozhegu pas shqyrtimit të shkresave të lëndës, ka konsideruar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve, pasi caktimi i masave tjera alternative do të ishin të pamjaftueshme për zhvillimin me sukses të procedurës penale.

Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës.