Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Gërvalla: Perëndimi të ndryshojë strategjinë, të dërgojë diplomatë të tjerë në Ballkan

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka kërkuar që Perëndimi të ndryshojë strategjinë, të dërgojë diplomatë të tjerë në Ballkan dhe të mbajë një qëndrim më të ashpër karshi Serbisë.

Gërvalla, në një intervistë për gazetën austriake “Der Standard”, ka akuzuar të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, për qëndrime të njëjta me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

Sipas Gërvallës, “përshkallëzimi është rezultat i një strategjie të gabuar”.

“I dërguari i BE-së për dialogun ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, Mirosllav Lajçak, shpesh mban qëndrimin e Vuçiqit. Jo vetëm që kjo është vdekjeprurëse për ndërmjetësimin; e inkurajon Vuçiqin të përshkallëzojë. Situata është jashtëzakonisht e rrezikshme, madje ka edhe trupa Wagner në vend. Një strategji e re nevojitet urgjentisht, duke përfshirë staf të ri, nëse duam të ndalet përshkallëzimi”- ka thënë ajo.

Gërvalla është pyetur edhe lidhur me kërkesën e SHBA- së dhe BE-së që kryetarët e komunave të punojnë jashtë zyrave të tyre komunale.

Ajo ka thënë se “Kosova nuk mund të bëjë vetëvrasje politike as për miqtë e saj më të ngushtë”.

“Ne, si Perëndimi në tërësi, nuk duhet të lejojmë që disa diplomatë problematikë ta fusin rajonin në luftë në një aleancë jo të shenjtë me përfaqësuesin e Putinit, Vuçiqin. Në çdo rast ne do ta mbrojmë vendin tonë sepse mbrojmë shtetin ligjor dhe demokracinë. Vuçiqin nuk e ndalon dot as me para, as me qetësim, vetëm me një qëndrim kristal. BE-ja nuk e ka këtë sepse nuk është dakord”- është shprehur Gërvalla.

Ndërsa sa i përket zgjedhjeve të reja, Gërvalla ka thënë se perëndimi duhet të parandalojë presidentin serb që të ndërhyjë sërish me kërcënime dhe dhunë.

“Më 17 mars, Perëndimi garantoi se nuk do të kishte bojkot për zgjedhjet e prillit. Rezultati dihet, nuk duhet të përsëritet”- ka deklaruar ajo.

Që nga mesdita e 26 majit serbët lokalë të komunave veriore të Zubin Potokut, Zveçanit dhe Leposaviqit janë grumbulluar dhe kanë protestuar duke kundërshtuar vendosjen e katër kryetarëve të rinj në objektet komunale.

Për shkak të situatës së tensionuar në veri të Kosovës, të banuar me shumicë serbe, Bashkimi Evropian ka ftuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në një takim krize. Takimi është paraparë të mbahet këtë javë.

Kurti ka konfirmuar pjesëmarrjen e tij në takimin e nivelit të lartë të thirrur nga Bashkimi Evropian në Bruksel.