Donika Gërvalla, 16.05.2024

Gërvalla për draftin e Asociacionit: Shpresojmë të pranohet oferta jonë këtë herë

Kryediplomatja kosovare, Donika Gërvalla, thotë se shpresojnë që të pranohet “oferta këtë herë” pas letres së dërguar në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, duke u zotuar për përgatitjen e draft-statutit të Asociacionit dhe dërgimin e tij në Kushtetuese.

Gërvalla ka kërkuar që të ftohet Kosova të jetë pjesë e KiE “si shtet që iu kanë vendosur më së shumti kushte, e që i ka plotësuar ato”.

“Siç jeni njoftuar sot në mëngjes, ju jam drejtuar me një letër KiE-së përmes kësaj letre kemi paraqit gatshmërinë tonë për përgatitjen e draft-statutit të Asociacionit. Ky draft do të përmbushte detyrimet e trashëguara ndërkombëtare dhe do të respektonte në tërësi Kushtetutën e Kosovës. Kosova ka qenë e përkushtuar për forcimin e pozicionit të Kosovës në institucione ndërkombëtare. Gjatë gjithë periudhës Kosova ka zhvilluar aktivitet të dendur lobimi. Prandaj duke vlerësuar rëndësinë që Kosova të jetë pjesë e KiE në emër të qeverisë kam dërguar letrën e përmendur ” – ka thënë Gërvalla në një konferencë për media.

“Drafti do të pamundësonte ndërhyrjet e palejuara nga jashtë zotimi ynë është serioz dhe i sinqertë. Shpresojmë të pranohet oferta jonë këtë herë. Kërkojmë dhe presim nga KiE te përmbush pjesën e vet të detyrimit dhe ta ftojë Kosovën të jetë pjesë e KiE si shtet që i ka përmbushur kushtet dhe shteti që iu kanë vendosur më së shumti kushte” – shtoi ajo më 16.05.2024.

E pyetur se nëse ky “zotim” është i votuar, ajo u përgjigj se nëse do t’a konsideronin të vonuar, “do ta dërgonim më herët dhe jo sot”.

“Po të konsideronim që është i vonuar do ta dërgonim më herët dhe jo sot. Ne kemi shprehur vullnet dhe shpresa jonë është e madhe që të na pranohet propozimi  Ne kemi diskutuar gjerë e e gjatë se pse një draft-Asociacion nuk duhet dërguar në Kushtetuese. Po flasim për një zotim për të përgatitur një draft-dokument nuk po flasim për një draft-dokument të gatshëm apo që është dërguar diku. Ky do të ishte një draft që do të hartohej nga Qeveria e Kosovës”-  ka thënë Gërvalla.

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla- Schwarz ka njoftuar sot më 16.05.2024 se  i ka dërguar letër Presidentit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, për siç ka thënë ajo, zotimin për përgatitjen e një drafti që parasheh “krijimin e një mekanizmi për vetmenaxhim”.

Sipas saj, ky draft do të shërbej për t’i integruar komunitetet joshumicë në të gjitha komunat e vendit.“Drafti siguron jo vetëm respektimin e plotë të Kushtetutës dhe ligjeve të Republikës së Kosovës, por në të njëjtën kohë pamundëson ndërhyrjet e palejueshme nga jashtë, si në komunat e Kosovës, ashtu edhe në të gjithë vendin” – deklaroi ministrja e MPJD-së.

Pas njoftimit të institucioneve të Kosovës se do të përgatisin një draft-statut që parasheh “krijimin e një mekanizmi për vetmenaxhim”, Ambasada e Gjermanisë në Kosovë thotë se drafti i Asociacionit të komunave me shumicë serbe do të duhej të dërgohej në Gjykatën Kushtetuese para mbledhjes së ministrave të Jashtëm të shteteve anëtare të Këshillit të Europës që do të mbahet më 17.05.2024.

Çështja e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Europës nuk është vendosur në agjendën e mbledhjes së ministrave të Jashtëm të shteteve anëtare të kësaj organizate ndërkombëtare, që do të mbahet më 17.05.2024.

Kryeministri, Albin Kurti ka bërë të ditur më 08.05.2024 se Qeveria nuk e pranon Asociacionin si kusht për t’u bërë pjesë e Këshillit të Europës. Kjo kërkesë, sipas tij nuk është parimore e as vlerore, por është absurde.