Gërvalla në NATO: Kosova është dëshmuar si kontributdhënëse për paqe dhe siguri në rajon

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla- Schwarz, gjatë vizitës në selinë qendrore të NATO-s, ka takuar Ndihmës- Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s për Çështje Politike dhe Politika të Sigurisë, Ambasadorin Boris Ruge dhe Ndihmës Sekretaren e Përgjithshme për Operacione në NATO, Burcu San.

Siç njoftohet përmes një komunikate për media, Gërvalla ka shprehur falënderimin e saj ndaj NATO-s dhe strukturave të saj civile dhe ushtarake për mbështetjen e vazhdueshme për vendin tonë, duke u ndalur me theks të veçantë te bashkëpunimi i shkëlqyer me KFOR-in dhe me NALT-in në Kosovë.

“Duke marrë parasysh rolin që të dy drejtuesit dhe divizionet përkatëse e kanë në NATO, si shtylla me interes te veçantë, Ministrja Gërvalla theksoi edhe domosdoshmërinë e përparimit të proceseve integruese për Kosovën në NATO deri në anëtarësimin e plotë në këtë organizatë”- thuhet në komunikatë.

Ministrja Gërvalla tutje ka theksuar se Kosova është e gatshme dhe e vendosur të fillojë dialogun dhe procesin e konkretizimit të marrëdhënieve me NATO-n, duke vënë në pah se “Kosova si faktor kyç dhe i dëshmuar si kontributdhënëse për paqe dhe siguri në rajon dhe përtej i ka përqafuar vlerat euroatlantike, të cilat i ndan me aleatët, miqtë dhe partnerët e saj ndërkombëtarë”.

Në njoftim theksohet se vëmendje e veçantë gjatë këtij takimi kanë zënë dhe aspektet politike dhe të sigurisë në Kosovë dhe rajon, duke nënvizuar “obstruksionet dhe sulmet” e vazhdueshme të Serbisë si dhe ndërhyrjet e vazhdueshme të influencave të huaja për destabilizim të Kosovës dhe rajonit, në veçanti asaj ruse në Ballkanin Perëndimor.