Gërvalla: Komuniteti ndërkombëtar të kuptojë se politika e zbutjes ndaj Serbisë ka dështuar
Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla ka bërë të ditur se një nga terroristët e vrarë në sulmin drejt policisë së Kosovës ka shërbyer si roje e shefit të shërbimit sekret në Serbi.
Ajo tutje shtoi se është gjetur edhe një dokument tek armët e sekuestruara për lidhje direkte me ushtrinë serbe.
“Sot, Kosova ka konfirmuar se një nga terroristët që mori pjesë në sulmin vdekjeprurës ndaj Policisë sonë, ka shërbyer si truprojë e shefit të shërbimit sekret të Serbisë në vitin 2013. Ne gjetëm gjithashtu një certifikatë që lidhte drejtpërdrejt ushtrinë serbe me një nga armët e sekuestruara”- ka shkruar Gërvalla.
Ministrja i ka bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar të pranojë se politika e zbutjes ndaj Serbisë ka dështuar dhe se nevojitet një ndryshim thelbësor.
“Regjimi i Vuçiqit përbën një kërcënim për paqen dhe stabilitetin e Evropës. Këtë herë, ne nuk mund t’i kthehemi punës si zakonisht”- është shprehur ajo.
Today, Kosova has confirmed that one of the terrorists who participated in the deadly attack on our Police served as a bodyguard for Serbia’s sitting intelligence chief back in 2013.
We also found a certificate directly linking the Serbian army to one of the seized weapons. 1/2
— Donika Gërvalla-Schwarz (@gervallaschwarz) September 27, 2023
Pjesëtari i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, u vra, një tjetër u plagos dhe një tjetër u lëndua, pas një sulmi nga persona të armatosur në Banjskë të Zveçanit, rreth orës 3 të mëngjesit të së dielës.
Policia e Kosovës kishte rrethuar të dyshuarit, rreth 30 persona – pjesëtarë të grupit të armatosur terrorist që gjendeshin në manastirin e Banjskës, derisa sulmet ndaj njësiteve policore vazhduan edhe në mbrëmje.