Vota, QNR FOTO-KALLXO.com

‘Germin’ e dërgon në PZAP vendimin e KQZ-së për votuesit nga diaspora

Organizata jo qeveritare “Germin” ka reaguar pas vendimit të fundit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) sipas të cilit është paralajmëruar se votuesit jashtë vendit të cilët aplikojnë për votim, do të telefonohen nga KQZ-ja dhe nëse nuk lajmërohen do të humbin të drejtën e votës.

Përmes një njoftimi për media, ‘Germin’ ka vlerësuar se vendimi i tillë është kundër të drejtave kushtetuese dhe për të do të dërgojnë një ankesë tek PZAP sot në orën 14:00.

“Ne si organizatë jo-qeveritare, misioni i së cilës është avokimi për të drejtat e diasporës vlerësojmë që ky vendim i fundit është kundër të drejtave elementare kushtetuese të secilit anëtar të diasporës të cilët kanë të drejtë vote në zgjedhjet në Kosovë”, thuhet në njoftim.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dje ka marrë vendim që votuesit jashtë Kosovës duhet të regjistrohen për votim përmes emailit.

Sipas vendimit të KQZ-së prej një email adrese, aplikuesi mund të aplikojë për vete dhe për rrethin e ngushtë familjar, që kanë të njëjtin mbiemër.

Ndërsa në formularët e aplikimit për regjistrim, aplikuesi duhet të shënojë vetëm numrin e tij të telefonit dhe jo të ndonjë familjari.

Tutje KQZ-ja do të verifikojë procesin e aplikimit për regjistrim, duke i kontaktuar të gjithë aplikuesit përmes telefonit dhe nëse aplikuesi nuk lajmërohet në telefon atëherë aplikacioni i tij do të refuzohet.

Ndaj këtij vendimi ka reaguar ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, e cila ka kërkuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ta shqyrtojë vendimin e sotëm sipas të cilit është paralajmëruar se votuesit jashtë vendit të cilët aplikojnë për votim, do të telefonohen nga KQZ-ja dhe nëse nuk lajmërohen do të humbin të drejtën e votës.

Vjosa Osmani i kërkon KQZ-së të shqyrtojë vendimin për votuesit e diasporës