Vjosa Osmani i kërkon KQZ-së të shqyrtojë vendimin për votuesit e diasporës

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, ka kërkuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ta shqyrtojë vendimin e sotëm sipas të cilit është paralajmëruar se votuesit jashtë vendit të cilët aplikojnë për votim, do të telefonohen nga KQZ-ja dhe nëse nuk lajmërohen do të humbin të drejtën e votës.

Osmani, përmes një letre dërguar KQZ-së ka thënë që e drejta e votës është fundamentale dhe e garantuar dhe si e tillë nuk mund të kushtëzohet me telefonatë.

“Ky vendim, e specifikisht pika IV e tij, mund të krijojë rrethana me të cilat e drejta e votës shkelet në mënyrë flagrante”, ka shkruar ndër të tjera Osmani.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve sot ka marrë vendim që votuesit jashtë Kosovës duhet të regjistrohen për votim përmes emailit.

Sipas vendimit të KQZ-së prej një e-mail adrese, aplikuesi mund të aplikojë për vete dhe për rrethin e ngushtë familjar, që kanë të njëjtin mbiemër.

Ndërsa në formularët e aplikimit për regjistrim, aplikuesi duhet të shënojë vetëm numrin e tij të telefonit dhe jo të ndonjë familjari.

Tutje KQZ-ja do të verifikojë procesin e aplikimit për regjistrim, duke i kontaktuar të gjithë aplikuesit përmes telefonit dhe nëse aplikuesi nuk lajmërohet në telefon atëherë aplikacioni i tij do të refuzohet.

LVV dhe njohësit e çështjeve juridike e kanë konsideruar të jashtëligjshëm këtë vendim të KQZ-së për zgjedhjet që do të mbahen më 14 shkurt.

KQZ-ja do t’u telefonojë votuesve në diasporë, nëse nuk lajmërohen nuk mund të votojnë