Gastronomët anulojnë protestën e paralajmëruar për sot

Shoqata e Gastronomëve të Kosovës ka anuluar protestën, e cila ishte paralajmëruar për sot në ora 15:00, për të kundërshtuar masat anti-COVID-19.

Sipas një komunikate për media, protesta ishte paraparë të mbahej në rast të ashpërsimit të masave aktuale anti-COVID-19 dhe pasi një gjë e tillë nuk ka ndodhur ende, protesta është anuluar.

“Qëllimi i këtij organizimi ka qenë kundërshtimi i ashpërsimit të masave Anticovid, të cilat ka pasur pritshmëri të merren si pasojë e zhvillimeve dhe paralajmërimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK-së). Mirëpo një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Rrjedhimisht nuk ka protestë”, thuhet në njoftim.

Ndërsa Gastronomët kanë bërë të ditur se në momentin që masat aktuale ndryshojnë, do të ketë organizim të protestave.