Gani Geci ftohet nga prokurorët e Hagës për intervistim

Anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Gani Geci ka bërë të ditur sot se është ftuar nga Gjykata Speciale në Hagë për t’u marrë në pyetje.

Këtë ai e ka bërë të ditur përmes një postimi në Facebook, duke thënë se ftesën e ka marrë përmes telefonit.

“Pas marrjes në pyetje të presidentit të Republikës së Kosovës nga Gjykata Speciale e Republikës së Kosovës me seli në Hagë, dje pas dite kam pranuar një thirrje telefonike nga një hetues i Gjykatës Speciale të Republikës së Kosovës për krime të luftës nga kjo Gjykatë dhe me është thënë se muajin shtator duhet të udhëtojë për në Hagë për t’u marrë në pyetje nga prokuroria Speciale, unë kam kërkuar ftesën me shkrim dhe më është thënë që ditët në vijim do të ma sjellin edhe ftesën me shkrim”, ka thënë ai.

Ai ka theksuar se do t’i përgjigjet pozitivisht kësaj ftese dhe se do të shkojë në Hagë.

“Unë do ta shfrytëzoj të drejtën time ligjore dhe do ti përgjigjem kësaj ftese dhe të gjitha pyetjeve të Prokurorisë për as sa mundem dhe di. Dua të theksojë se unë nuk kam nevojë për Avokat, avokat për veten time jam vetë   Pasi të kthehen nga Haga nëse do të kthehem Qeverisë së Republikës së Kosovës do t’ia paraqesë kërkesën që të mi mbulojë shpenzimet mia njëjtë si Sylejman Selimit dhe të tjerëve”, ka thënë ai.

Geci po ashtu shpreson së është ftues si dëshmitar e jo si i dyshuar.

“Qeveria është e obliguar me ligj që t’i mbulojë shpenzimet të gjithëve njësojë. Shpresoj të jem i ftuar si dëshmitarë e jo si i dyshuar. Gjykata Speciale por edhe të gjithë opinioni publikë do ta kuptojnë  një ditë se si duhet të mbrohet lufta për liri kundër Okupatorit shekullorë Serbë dhe si do te demaskohen individët qe luftën për liri e përdorën si mjet duke vra kundërshtarë  politik për të ardhur më pushtet pas lufte duke u mundua me i njollos familjet me të forta në Republikën e Kosovës…”, ka thënë në fund anëtari i LDK-së.

Së fundmi, Gjykata Speciale ka dërguar ftesa për shumë ish-pjesëtarë të UÇK-së për intervistim.

Kurse, 5 vjet pas themelimit, me 24 qershor 2020, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte njoftuar se ka ngritur aktakuzë ndaj Hashim Thaçit e Kadri Veselit, për krime kundër njerëzimit.

Ndërkohë presidenti Thaçi për katër ditë me rresht është intervistuar nga Gjykata Speciale në Hagë.

Në anën tjetër, Kuvendi i Kosovës më 30 korrik, ka miratuar amendamentin për ndarjen e 20 milionë eurove për të akuzuarit potencialë të Gjykatës Speciale.