Fushë-Kosovë, largohen mbeturinat në Bresje

Komuna e Fushë-Kosovës ka njoftuar për largimin e mbeturinave në Bresje, të cilat, sipas tyre, janë hedhur nga kompanitë e ndërtimit dhe qytetarët.

“Ekipet mobile të Shërbimeve Publike kanë eliminuar një pikë grumbullimi të mbeturinave të shumta në Bresje, të cilat janë hedhur nga qytetarët dhe nga disa kompani ndërtimore. Në vend që të përdorin kontejnerët e vendosur për mbeturina ata po i hedhin ato pa ndonjë kontroll duke ndotur ambientin, por edhe duke krijuar mundësi të përhapjes së sëmundjeve ngjitëse,” thuhet në njoftim.

Komuna u bëri thirrje kompanive dhe qytetarëve që të jenë më të kujdesshëm sidomos tani në kohë të pandemisë.

“Kjo pikë grumbullimi në Bresje edhe pse është mënjanuar disa herë, prapë po keqpërdoret. Kërkojmë nga qytetarët dhe nga kompanitë ndërtimore që të jenë të vëmendshëm për rrezikun dhe pasojat që mund të shkaktojnë, sidomos tani kur po përballemi edhe me pandeminë COVID-19!,” thuhet tutje në njoftim.

KALLXO.com në hulumtimin që ka bërë për Komunën e Fushë-Kosovës ka raportuar për këto grumbullime të mbeturinave në Bresje.