Komuna e Gjilanit, Foto: Komuna e Gjilanit

Fushata Zgjedhore: Gjilani punësoi 21 persona me kontrata mbi vepër

Komuna e Gjilanit, e cila udhëhiqet nga Lidhja Demokratike e Kosovës, përkatësisht Lutfi Haziri, në muajin shtator i cili njëkohësisht ishte muaji i fushatës zgjedhore në Kosovë ka nënshkruar 21 kontrata mbi vepër.

Qytetarët kanë raportuar në KALLXO.com se në kohën e fushatës zgjedhore në këtë Komunë janë punësuar një numër i madh i personave.

KALLXO.com ka kontaktuar Komunën e Gjilanit, dhe në përgjigjet e dhëna nga Ibrahim Ademi, zyrtar për Informim thuhet se në periudhën 1 deri më 31 shtator janë nënshkruar 21 kontrata mbi vepër.

“Në administratën komunale, në periudhën nga 01.10.2019 deri më 31.10.2019 janë lidhur gjithsej 21 kontrata mbi vepër në kohëzgjatje një mujore, ndërsa të njëjtit kanë qenë të angazhuar edhe në dy muajt paraprak”, thuhet në përgjigje.

Ademi ka shtuar se personat e punësuar kanë pozita të ndryshme dhe në vende të ndryshme, përfshirë Zyrën e Kryetarit, Drejtorinë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Drejtorinë për Arsim, Drejtorinë e Inspeksionit, Drejtorinë e Kulturës, Drejtorinë për Buxhet dhe Financa si dhe Drejtorinë për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale.

Zgjedhjet nacionale në Kosovë janë mbajtur më 6 tetor, ndërsa zyrtarisht fushata zgjedhore ka filluar që nga 14 shtatori deri më 4 tetor.

Në Komunën e cila udhëhiqet nga Lutfi Haziri, sipas rezultateve preliminare fituese ka dalë Lëvizja Vetëvendosje me 17.864 vota ose 39,75%, ndërsa e dyta ka dalë Lidhja Demokratike e Kosovës me 12.217vota ose 27,18%.

Votat në Gjilan, deri më tani LVV fiton bindshëm