FSK reagon dhe dematon lajmet se viktima që vdiq pas rastit në “Bon Vivant” është pjesëtar i saj

Forca e Sigurisë së Kosovës, ka reaguar dhe demantuar lajmet e publikuara gjatë ditës së sotme se një nga personat e plagosur që vdiq mëngjesin e sotëm pas të shtënave me armë në lokalin “Bon Vivant” është pjesëtar i saj.

“Informacionet që janë duke qarkulluar në media për rastin e mbrëmbshëm se i vrari është pjesëtarë i FSK-së, nuk janë të vërteta”- ka shkruar FSK përmes një njoftimi në Facebook, faqen zyrtare.

Por të njëjtit kanë konfirmuar se në këtë ngjarje ka qenë i përfshirë një pjesëtar i FSK-së.

“Forca e Sigurisë së Kosovês pas verifikimit të të gjitha informatave nga autoritetet kompetente të sigurisë, do të veproj bazuar në ligjet dhe rregulloret në fuqi të FSK-së”- thuhet në njoftimin e tyre.

17 persona kanë mbetur disa të plagosur e disa të lënduar pas të shtënave me armë që u raportuan se ndodhën në orët e vona të mbremjes së kaluar në lokalin “Bon Vivant” në Prishtinë.

Një nga të plagosurit siç ka raportuar KALLXO.com mëngjesin e sotëm ka vdekur nga plagët e marra në pjesën abdominale të trupit.

Viktima është i moshës 39 vjeçe. Në anën tjetër edhe pesë të plagosur të tjerë po trajtohen ende në QKUK dhe janë jashtë rrezikut përjetë.

Të tjerët persona që u lënduan kryesisht plagët u ishin shkaktuar nga thyerja e shisheve të qelqit brenda lokalit.

Policia e Kosovës ka thënë se e gjitha nisi me një mosmarrëveshje që kaloi më pas në të shtëna me armë.