Ilustrim

FMN: Ekonomia e Kosovës më 2020 pritet të tkurret për 5% si pasojë e pandemisë

Ekonomia e Kosovës pritet të tkurret për 5 për qind në vitin 2020 pasi të hyrat nga turizmi, remitancat, eksportet e mallrave dhe IHD-të do të ulen si pasojë e kufizimeve të udhëtimit dhe efektit të COVID-19 te partnerët tregtarë dhe shtetet prej nga vijnë remitancat.

Kështu është bërë e ditur nga mbledhja e Bordit Ekzekutiv të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), nga e cila u tha se pandemia e COVID-19 dhe masat e ndërmarra për kontrollimin e saj kanë dobësuar rëndë perspektivën ekonomike të Kosovës.

“Pandemia e COVID-19 dhe masat e ndërmarra për kontrollimin e saj kanë dobësuar rëndë perspektivën ekonomike të Kosovës. Ekonomia pritet të tkurret për 5 për qind në vitin 2020 pasi të hyrat nga turizmi, remitancat, eksportet e mallrave dhe IHD-të do të ulen si pasojë e kufizimeve të udhëtimit dhe efektit të COVID-19 te partnerët tregtarë dhe shtetet prej nga vijnë remitancat e diasporës. Perspektiva e përkeqësuar ekonomike pritet të rezultojë në hendeqe të financimit të jashtëm dhe atë fiskal”, thuhet në komunikatën e FMN-së.

“Reagimi i autoriteteve përmes politikave ndaj këtyre goditjeve është bërë në kohë dhe në mënyrë të përshtatshme, me një zbutje të përkohshme të politikave fiskale dhe financiare. Veprimet fiskale të deritanishme synojnë sektorët më të prekur nga tronditja dhe kanë për qëllim mbështetjen e shpenzimeve sociale dhe shëndetësore”, vijon njoftimi.

Pas diskutimeve në Bordin Ekzekutiv, Tao Zhang, zëvendësdrejtor menaxhues dhe ushtrues i detyrës së kryesuesit, ka thënë në një komunikatë se pandemia globale ka pasur ndikim negativ në Kosovë, duke krijuar një nevojë urgjente të bilancit të pagesave.

“Nga jashtë, kufizimet e udhëtimit dhe recesioni global kanë goditur rëndë turizmin, eksportin e mallrave, remitencat dhe IHD-të. Brenda vendit, rritja e paqartësisë dhe kufizimet e lëvizjes kanë ndërprerë furnizimin dhe kufizojnë edhe më tej kërkesën”, ka thënë ai.

“Në përgjigje të pandemisë COVID-19, autoritetet reaguan shpejtë dhe vendosën masa të rrepta të përmbajtjes dhe zbutjes për të siguruar lehtësira për bizneset dhe familjet më të prekura, si dhe krijuan hapësirë në buxhet për rritje të e shpenzimeve shëndetësore. Banka Qendrore e Kosovës ka mundësuar pezullimin e pagesave të kredive deri në fund të prillit për sektorët dhe individët më të prekur nga kriza.Si rrjedhojë e këtyre masave, deficiti buxhetor pritet të zgjerohet dhe me gjasë edhe borxhi do të rritet. Megjithatë, autoritetet vazhdojnë të jenë të përkushtuara për stabilitet makroekonomik; për aq kohë sa këto masa janë të përkohshme dhe rregulli fiskal rivendoset pas tërheqjes së pandemisë, borxhi publik pritet të mbetet i qëndrueshëm”, shtoi Zhang.

Ai deklaroi se FMN është e gatshme të mbështesë Kosovën në luftën kundër kësaj pandemie dhe të ndihmojë në rimëkëmbjen e ekonomisë së saj.

Ndërkaq, Bordi Ekzekutiv i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) miratoi ndarjen e 51.6 milionë eurove në mbështetje emergjente për Republikën e Kosovës në kuadër të Instrumentit për financim të shpejtë (RFI) për t’i përmbushur kërkesat urgjente të bilancit të pagesave që rrjedhin nga shpërthimi i pandemisë COVID-19.

“Instrumenti RFI mundëson ndihmë të shpejtë dhe me qasje të ulët financiare për vendet anëtare që përballen me nevojë urgjente të bilancit të pagesave, pa pasur nevojë për program të plotë ose rishikime ekonomike. Ai mund të sigurojë mbështetje për të përmbushur një gamë të gjerë të nevojave urgjente, duke përfshirë ato që rrjedhin nga tronditjet e mëdha të çmimeve të mallrave, katastrofat natyrore, konfliktet dhe situatat pas konfliktit. Ndihma financiare sipas RFI sigurohet në formën e blerjes së drejtpërdrejtë”, thuhet në komunikatë.