Fitore Pacolli, VV.

Fitore Pacolli i bashkohet Kurtit, dhuron gjysmën e pagës për shëndetësinë

Pas kryeministrit në detyrë Albin Kurti, i cili dhuroi gjysmën e pagës për të ndihmuar sistemin e shëndetësisë në Kosovë, edhe deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli i është bashkuar kësaj nisme.

“Edhe unë i bashkohem nismës së kryeministrit dhe kolegëve të mi deputetë duke ndarë gjysmën e pagës sime”, ka shkruar Pacolli në Facebook.

Pacolli ka shtuar se në këtë situatë emergjente shëndetësore shteti ka nevojë për ndihmën e secilit nga ne.

“Ne mund të ndihmojmë duke qëndruar në shtëpi e duke respektuar rregullat, e për ne që kemi sado pak mundësi edhe duke ndarë një shumë modeste për fondin e Qeverisë së Kosovës”, ka shtuar ajo.

Deputetja e LVV-së ka thënë se asnjëherë më shumë si shoqëri se në këto ditë të vështira nuk e kemi ndier nevojën për një sistem të zhvilluar publik shëndetësor.

“Ta mbajmë në këmbë sistemin tonë publik shëndetësor. Pa të nuk do të mund t’ia dalim. P.S. E ata që e kanë vjedhur paranë publike duhet një nga një t’ia kthejnë sot shtetit”, ka përfunduar Pacolli.

Para disa ditëve, kryeministrja e Zelandës së Re, Jacinda Ardern ka marrë vendim që ajo dhe ministrat e qeverisë së udhëhequr prej saj të marrin pagë 20% më të ulët për 6 muajt e ardhshëm.