Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Zëdhënësja e LDK-së: Sulmi ndaj mediave është shndërruar në mjet komunikimi nga pushteti politik
Zëdhënësja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, (LDK), Sibel Halimi ka thënë se sulmi ndaj medieve është shndërruar në mjet komunikimi nga pushteti politik.
Ajo ka thënë se kur një qeverisje demonstron paaftësi e bartë problemin tek mediat.
“Fatkeqësisht sulmi ndaj medieve është shndërruar në mjet komunikimi nga pushteti politik. Praktikë kjo, e njohur, kur një qeverisje demonstron paaftësi, gjithmonë bartë problemin tek mediat. Në shoqëritë demokratike mediat janë pasqyrë e qeverisjes së mirë, mirëpo, për partinë në pushtet është ballafaqimi i vërtetë i realitetit të hidhur, e cila vështirë të pranohet”, ka thënë Halimi.
Halimi ka thënë se përkundër sfidave të ndryshme, gazetarët e bëjnë të mundur jetësimin e vlerave fundamentale të lirisë së shprehjes.
“Partitë në pushtet vijnë e shkojnë, por mediat mbesin kujdestare të vlerave të demokracisë”, ka thënë ajo.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës dhe Këshillimi i Mediave të Shkruara të Kosovës janë shprehur të shqetësuar pas fjalimit dje në Kuvendin e Kosovës të deputetes së partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli.
Pacolli, sipas reagimit të AGK-së në Facebook, ka bërë thirrje për rregullim qeveritar të mediave, sidomos mediave online.
“Thirrja e hapur e deputetes Pacolli për ndërhyrje direkte të Qeverisë për kontroll ndaj mediave është e papranueshme për AGK-në dhe KMShK-në dhe paraqet rrezik për lirinë e medias në vend”, është thënë në këtë reagim.
AGK dhe KMSHK reagojnë ndaj thirrjeve të deputetes së LVV-së për “kontroll qeveritar” mbi mediat